AGK reagon: E rrezikshme dhe e papranueshme gjuha e Shefit të Stafit të Presidentes Osmani

AGK reagon: E rrezikshme dhe e papranueshme gjuha e Shefit të Stafit të Presidentes Osmani

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) e ka cilësuar si të rrezikshme dhe të papranueshme gjuhën e përdorur nga Shefi i Stafit të Presidentes Osmani, Blerim Vela, ndaj mediave.  

Ky i fundit duke reaguar lidhur me pretendimet e fundit se Gjykata Kushtetuese mund ta rrëzojë Vjosa Osmanin nga posti i presidentes, ka thënë se janë synim perfid për t’i bërë presion Gjykatës dhe për të krijuar huti në publik.

“Pretendimet se gjoja Gjykata Kushtetuese do ta “rrëzojë” Presidenten, është synim perfid për t’i bërë presion Gjykatës dhe për të krijuar huti në publik. Gjykata Kushtetuese është institucion i pavarur, e cila ka detyrim të qartë ligjor për të ruajtur integritetin e vendimmarrjes gjyqësore”, ka shkruar Vela në Twitter.

E sipas AGK-së, nuk është hera e parë që Vela sulmon mediat e Kosovës.

“Vela në një postim skandaloz në Twitter, thotë se raportimet e mediave të Kosovës ‘janë pjesë e luftës speciale të realizuar sipas skemës së përgatitur nga Beogradi dhe të realizuar përmes kriminelëve të veriut dhe sekserëve të tyre, të cilët ndodhën në listën e zezë të SHBA-së. Kjo është një gjuhë e papranueshme dhe shumë e rrezikshme që rëndon ambientin e punës së gazetarëve në Kosovë. Për më tepër është vazhdimësi e sulmeve të zotit Vela ndaj mediave”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Teksa merr pjesë në Samitin e Demokracisë, AGK-ja i ka bërë thirrje të përsëritur presidentes Vjosa Osmani që “përfundimisht të ndalojë sulmet ndaj mediave nga kabineti i saj, e që shërbejnë si presion direkt në punën e tyre”. 

Related Articles