Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës ka reaguar ndaj kërcënimeve që u janë bërë gazetarëve të Gazetës Sinjali.
“Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës është thellësisht i shqetësuar për kërcënimet që janë bërë në drejtim të kolegëve të Gazetës Sinjali. Gazetarët e këtij mediumi janë kërcënuar dhe ofenduar nga familjarë të personave që u arrestuan gjatë ditës së djeshme nën dyshimin se kanë përgatitur vepra terroriste”, thuhet në reagimin e AGK-së.
Për AGK-në, është tejet shqetësuese dhe tërësisht e papranueshme që gazetarët vazhdojnë të jenë cak i kërcënimeve të tilla. Andaj, ftojmë organet kompetente që sa më parë të marrin në mbrojtje gazetarët dhe këtë medium për të parandaluar ndonjë incident eventual.
“Vlerësojmë se qasja e tillë rrezikon rëndë lirinë e shprehjes dhe klimën e të bërit gazetari. Njëherësh, u bëjmë thirrje kolegëve që rastet e kërcënimeve t’i raportojnë në Policinë e Kosovës”, thuhet në reagim.