Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e ka dënuar kërcënimin që sipas tyre ia ka bërë deputeti i LVV-së Nezir Kraki gazetarit të “Nacionales”, kur ishte pyetur për doktoraturën e tij në Francë.
“Deputeti i zgjedhur i Vetëvendosjes, Nezir Kraki ka përdorur gjuhë kërcënuese dhe paralajmëruese kundër gazetarit të Nacionales, Xhezair Dashi. Gazetari i ka dërguar pyetje për doktoraturën e tij në Francë, kurse deputeti e ka paralajmëruar se kësaj pyetjeje “mund t’ia shohë sherrin”. Në mesazhin zanor, Kraki dëgjohet t’i ketë thënë Dashit se “njerëzit nuk harrojnë, as nuk falin”, thuhet në reagimin e AGK-së.
AGK e ka ftuar Krakin t’i kërkojë falje gazetarit dhe redaksisë.
“AGK-ja e dënon ashpër këtë gjuhë kërcënuese dhe të papranueshme ndaj gazetarit, nga një deputet i zgjedhur. AGK-ja e fton zotin Kraki të kërkojë falje ndaj gazetarit dhe redaksisë, dhe të ofrojë në mënyrë transparente informacionet e kërkuara. Gazetarët duhet të lejohen që punën e tyre, në interest të publikut, ta bëjnë në mënyrë të papenguar dhe pa presion”. / Gazeta Enigma.