Politikani shqiptar i Maqedonisë, Ali Ahmeti ka uruar Memli Krasniqin për zgjedhjen kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës.
Aliu thotë se nevojitet guxim i veçantë për të marrë mbi supe përgjegjësi në kohëra sfiduese dhe e ka inkurajuar Krasniqin të trasojë rrugën e dy paraardhësve të tij, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli.
“Dy partitë tona ndajnë vlera të përbashkëta për demokracinë, lirinë, sundimin e ligjit, shtetësinë e Kosovës dhe integrimin e dy vendeve në Bashkimin Europian dhe në NATO. Tek unë dhe tek BDI do të gjesh partner të sinqertë dhe të përkushtuar për punë të mbara sepse Kosova, thellë në mendjet dhe zemrat tona, është mall, është realizim ëndrrash, është zenit jetësor.”, shkruan Ahmeti.
Postimi i plotë:
I dashur Memli,
përzemërisisht të uroj për marrjen e përgjegjësisë dhe zgjedhjen Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës në një proces demokratik dhe transparent.
Nevojitet guxim i vecantë për të marrë mbi supe përgjegjësi në kohëra sfiduese dhe për këtë të inkurajoj që të vijosh rrugën e trasuar nga paraardhësit e tu të cilët na mungojnë shumë dhe uroj si dhe kam bindjen që do të rikthehen shpejtë, faqëbardhë dhe krenar.
Dy partitë tona ndajnë vlera të përbashkëta për demokracinë, lirinë, sundimin e ligjit, shtetësinë e Kosovës dhe integrimin e dy vendeve në Bashkimin Europian dhe në NATO.
Tek unë dhe tek BDI do të gjesh partner të sinqertë dhe të përkushtuar për punë të mbara sepse Kosova, thellë në mendjet dhe zemrat tona, është mall, është realizim ëndrrash, është zenit jetësor.
Të uroj shëndet dhe mbarësi në sfidën e re me dëshirat më të sinqerta për sukses në të mirën e përbashkët të të gjithë qytetarëve të Kosovës dhe rajonit./Gazeta Enigma/