Një vetaksident i rëndë që ndodhi pak orë më parë në fshatin Sfeqël të Podujevës, la të vdekur dy persona, teksa u lëndua rëndë një tjetër. Shoferi i veturës dhe njëri prej pasagjerëve nuk arritën t’i përballojnë plagët dhe ndërruan jetë në vendin e ngjarjes, ndërsa pasagjeri tjetër u dërgua me urgjencë në spital.
Sinjali mëson se viktima e dytë, pas Ultrim Mehmetit, është Qëndrim Boshnjaku [rreth 28-vjeç].
Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, tha për Sinjalin se vdekjen e viktimave e ka konstatuar ekipi mjekësor që doli në vendin e ngjarjes.
“Sot rreth orës 20:30 në rrugën që lidhë fshatin Sfeqël me fshatin Shajkovc të Podujevës, ka ndodhur një aksident trafiku, ku është përfshirë një veturë. Si pasojë e aksidentit tre persona kanë pësuar lëndime të rënda trupore. Dy nga personat e lënduar nuk kanë arrit të përballojnë plagët e shkaktuara nga aksidenti dhe të njëjtit kanë vdekur. Vdekjen e viktimave e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendngjarje. Me hetimin për zbardhjen e shkaqeve të këtij vetaksidenti, po merren hetuesit nga Njësiti i trafikut”, tha Ahmeti.
16 shtatori shënoi një ditë të kobshme për Kosovën, pasi brenda pak orësh kanë ndodhur tri aksidente me fatalitet, një në Podujevë, një në Graçanicë dhe një në Pejë.
Si pasojë e lëndimeve të marra, kanë humbur jetën pesë persona dhe kanë mbetur të lënduar disa të tjerë.
Kujtojmë se në vazhdimësi bëhet thirrje për kujdes në komunikacion, pasi rastet e aksidenteve me fatalitet nuk po kanë të ndalur dhe shkaktarët më së shpeshti janë moszbatimi i rregullave.