Aksidenti me katër viktima në Koshare, Gjykata merr vendim për të dyshuarin

Aksidenti me katër viktima në Koshare, Gjykata merr vendim për të dyshuarin

Gjykata Themelore në Ferizaj ka caktuar masën e paraburgimit për E.M., të dyshuar për shkaktimin e aksidentit në Koshare, ku vdiqën katër anëtarë të një familjeje, raporton Gazeta “Enigma”.

Aksidenti ka ndodhur mesditën e së dielës, në magjistralen Ferizaj-Shtime, përkatësisht në fshatin Koshare, ndërkaq në njoftimin e Gjykatës bëhet e ditur se aksidenti është shkaktuar nga pakujdesia e E.M.

Nga ky aksident, mbetën të vdekur katër persona të një familjeje, në mesin e tyre edhe një 11-vjeçar, e po ashtu, mbetën të lënduar tre persona tjerë.

“Pas mbajtjes së seancës dëgjimore dhe analizimit të shkresave të lëndës, gjyqtari i procedurës paraprake i Divizionit Penal – Adem Shabani, ka vërtetuar faktin se i pandehuri dyshohet se më 6 qershor 2021, në rrugën magjistrale Ferizaj – Shtime, përkatësisht në fshatin Koshare, duke drejtuar automjetin e markës “Audi A8”, nga pakujdesia, ka vepruar në kundërshtim me ligjin për rregullat e trafikut rrugor, duke mos ia përshtatur shpejtësinë e lëvizjes kushteve të rrugës në vendbanim, dhe duke mos i respektuar rregullat e komunikacionit, tejkalon në vijë të plotë dhe kalon në shiritin e majtë rrugor, dhe me pjesën e përparme të automjetit e godet automjetin e markës “Golf II”, në pjesën e përparme të anës së majtë e cila ishte duke lëvizur nga drejtimi i kundërt Shtime-Ferizaj, ku në këtë aksident pësojnë lëndime me pasoja vdekje drejtuesi i automjetit “Golf II” N.R., dhe tre pasagjerët e tjerë, tani të ndjerët Xh.R., S.R., dhe djali i tij i mitur, lëndime të rënda trupore pëson pasagjerja I.R., e cila është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) për tretman të mëtejmë, si dhe drejtuesi i automjetit Audi A8 dhe dy pasagjeret e tij, L.H dhe Y.H”, thuhet në njoftim.Reklamë

Ndaj të dyshuarit është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.

“Gjyqtari i procedurës paraprake, kërkesën e prokurorit të shtetit për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit, e ka aprovuar si të bazuar dhe të njëjtit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji”, thuhet në njoftim.

Po ashtu, gjykata ka bërë të ditur se hetimet lidhur me këtë rast nuk kanë përfunduar ende.

“Gjykata po ashtu me rastin e caktimit të masës së paraburgimit ka vlerësuar se për këtë vepër penale hetimet nuk kanë përfunduar, dhe ende nuk janë dëgjuar para prokurorit të shtetit as dëshmitarët tjerë të mundshëm, dhe e dëmtuara e cila është në gjendje të rëndë dhe gjendet për tretman mjekësor në QKUK, andaj mbi këto arsye gjykata vlerëson se po të gjendet në liri mund të ndikoj tek të njëjtit në mënyrë që të deklarohen në favor të mbrojtjes, andaj edhe mund të vije deri te rrethanat me të cilat do ta pengonin zbatimin e suksesshëm të procedurës penale duke ndikuar në dëshmitarë veçanërisht në të dëmtuarën e mitur”, bëhet e ditur në njoftim.

Related Articles