Aksidenti tragjik në Lepenc: Rrëfen detaje daja i 21 vjeçarit që shpëtoi

Aksidenti tragjik në Lepenc: Rrëfen detaje daja i 21 vjeçarit që shpëtoi

Nga aksidenti në Lepenc, ku vetura ra në lum dhe i mori jetën tre anëtarëve të familjes Pacolli, arriti të shpëtoj 21 vjeçari, Shkelqim Pacolli, rast për të cilin ka rrëfyer daja i tij.

Ish-kampioni i boksit, Xhavit Visoka, rrëfen se motra e tij së bashku me familjen ishin shtetas të Norvegjisë dhe Merita së bashku me djalin e vogël po vinin në Kosovë nga Shkupi, ndërsa dhëndri i tij Naimi dhe nipi Shkëlqimi kishin shkuar në Maqedoni për t’i pritur sepse të njëjtit kishin arritur në Kosovë më parë.

Xhavit Visoka tregon momentin kritik se si ndodhi aksidenti në Lepenc.

“Dhëndri dhe dy fëmijët janë shtetas norvegjez, kanë jetu në Norvegji. Dhandri dhe djali i madh kanë qenë në Kosovë kanë ardhë më herët, tash motra me djalin e vogël kanë pas me ardhë edhe janë ardhë në Shkup, e dhandri Naimi me nipin Shkëlqimin janë dalë me i marrë me kerr. Duke u kthy një tunel që është kah të vish prej Shkupit, para se me mbërri te kufiri është një tunel duke u ndërtuar edhe e kanë vendos një semafor aty para tunelit, me kalu njëherë  në njërën anë njehërë në tjetrën, paska qenë kolonë e tash sipas raportit të policisë, djali paska desht me tejkalu me nxanë semaforin e gjelbërt dhe një person i Maqedonisë i Shkupit me një kerr Tiguan, se ka lanë me hy në tejkalim, ja ka nxanë rrugën, vetëm pak e ka prek dhe aty lumi është afër edhe kanë ra”, tha Visoka.

Ai tha se veturën po e voziste djali i çiftit, Shkëlqimi 21-vjeç. Ndërsa, arsyeja e vizitës së familjes në Kosovë ishte për pushime të verës.

“Si krejt mërgimtarët që vijnë verës, kanë shtëpi marramendëse të madhe në Kosovë, kanë pas jetë luksoze, kanë ardhë 2-3 herë në verë”, tregoi Visoka arsyet e vizitës.

I pyetur se si është gjendja shëndetësore e Shkëlqimit ai tha se nuk është e mirë dhe sot e ka marrë vesh lajmin për vdekjen e prindërve dhe vëllait të tij.

“Jo mirë, deri sot si kena tregu që kanë vdek, se edhe ne kemi pas shpresa që po nxirren prej kerrit. Por, kur i pam kufomat aty është pa koment”, u shpreh Visoka.

Detaje se si shpëtoi mrekullisht Shkëlqimi

Xhavit Visoka rrëfen se Shkëlqimit iu ka hapur dera e veturës në lumë, më pas dikush nga kalimtarët ia ka ofruar një litar dhe ka arritur të dalë nga lumi. Kurse vetura ku ishin prindërit e tij dhe vëllai vazhdonte të zhytej në ujë.

“Shkëlqimi tha na ka rrokë një kerr mrapa, por defakto anash…Jena ra tha në lumë por u rrotullu kerri me katër rrotat nalt, jena ra tha në lum, e kur jena ra në lum tha mu ka çel dera dhe jam dal. Kerri u shku tu u rrotullu anash, do djem tha ma kanë gju një litar më kanë nxjerrë jashtë, edhe ka ditë not”, tha daja i Shkëlqimit, Xhavit Visoka.

Lajmin për tragjedinë në Lepenc ia kishte treguar vetë Shkëlqimi dajës së tij.

“Nipi ka telefonu vëllain në Facebook”, tha Visoka.

Gjithashtu, Visoka falënderoi bashkëkombasit në Shkup për ndihëm e ofruar, ministrin e MPB-së Xhelal Sveçla dhe FSK-në e policinë.

“Duhet me cekë, jam i befasur me bashkëkombasit tonë në Shkup, 24 orë nuk janë largu kurrë nga ne. Na ofruan edhe një hotel, pronari i hotelit “Smira” – ceke të lutëm. Ai tha krejt gratis i keni derisa të kryhet rasti”…Prej Qeverisë, kur e kam telefonu ministrin Sveçla para meje ka arritë te vendi dhe deri në orën 05:20 ka nejt te krahu im pa ma lëshu dorën…Ka thirrë shptërimtarët, policinë dhe kanë mbërri me drona me zhytësa. Kanë punu kurrë pa ndal, respekt për FSK dhe njësinë Speciale të Kosovës”, u shpreh ai për Gazetën Express.

Trupat e pajetë nuk kanë arritur akoma në Kosovë, ndërsa lamtumira e fundit pritet t’u jepet atyre nesër.

Related Articles