Aksion i Policisë në Pejë: Arrestohet një i mitur, dyshohet se kishte plane t’i vriste nxënësit e klasës

Aksion i Policisë në Pejë: Arrestohet një i mitur, dyshohet se kishte plane t’i vriste nxënësit e klasës

Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion të shtunën, në rajonin e Pejës, që rezultoi me arrestimin e një të mituri që dyshohet për veprën penale “Përgatitja e veprave penale terroriste ose veprave penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës”.

Siç mëson Sinjali, në bazë të informacioneve të para, i dyshuari kishte planifikuar një sulm për t’i vrarë nxënësit e klasës së tij.

Nga Prokuroria Themelore në Pejë e kanë konfirmuar për Sinjalin se ky rast tashmë po hetohet nga Prokuroria Speciale.

“Për këtë çështje penale kontaktoni me Prokurorinë Speciale për shkak se është në kompetencë të tyre”, tha zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi.

Sinjali po ashtu ka mësuar nga burimet se Prokuroria Speciale ka ushtruar kërkesë për caktimin e masës së sigurisë ndaj të dyshuarit, i cili ndodhet nën masën e ndalimit policor.

Ndërkohë nga Policia nuk kanë dhënë detaje të tjera përveç njoftimit për arrestimin e të dyshuarit.

“Pejë/07.10.2023-12:10. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar nën dyshimin se i njëjti paraqet kërcënim. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.”, thuhet në raport.

Sinjali do të iu mbajë të informuar për detajet e reja.

Related Articles