Prokuroria Themelore e Gjakovës i ka ngritur aktakuzë zyrtarit policor, P.P., i cili kishte ngacmuar një grua.
Rasti ka ndodhur më 13 shtator të këtij viti, ka bërë të ditur Prokuroria përmes një komunikate për media.
Sipas aktakuzës, zyrtari policor e ka ngacmuar të dëmtuarën R.S., e cila paraprakisht e kishte raportuar në polici një rast që kishte lidhje me vajzën e saj.
Zyrtari policor i kishte dërguar mesazhe provokuese të dëmtuarës. Ai po ashtu kishte shkuar në shtëpinë e saj, duke i thënë se ka shkuar për të marrë prova rreth rastit të raportuar nga e dëmtuara.
“Sipas aktakuzës, më 13 shtator 2021 e deri më 14 shtator 2021, në Gjakovë, i pandehuri P.P., në vazhdimësi përfshihet në sjellje të padëshirueshme, me qëllim të ngacmimit, duke i sjellë shqetësim emocional të dëmtuarës R.S.
“Rasti ka ndodhur si rrjedhojë e rastit paraprak që kishte e dëmtuara me vajzën e saj, të cilin e kishte raportuar në stacionin policorë, në cilësi të dëmtuarës, por pasi shkon në shtëpi, në telefonin e saj pranon mesazhe të ndryshme provokuese nga i pandehuri, zyrtar policor, i cili e kishte intervistuar të njëjtën”.
“Më pas, në orët e para të mëngjesit i pandehuri, shkon në shtëpinë e të dëmtuarës, por kur sheh brenda edhe motrën e saj, thotë se ka shkuar të marr një thikë, si provë lidhur me rastin paraprak të raportuar nga e dëmtuara”, ka bërë të ditur Prokuroria./Gazeta Enigma/