Prokuroria Themelore në Ferizaj, për veprën penale “Mashtrimi” u ka ngritur aktakuzë dy burrave dhe një gruaje.
Sipas aktakuzës, viktimat ishin mashtruar se do t’iu siguroheshin kontrata pune në bazat ushtarake amerikane në Irak, Afganistan dhe Poloni.
Të akuzuarit N.L dhe K.H sipas prokurorisë, kanë përfituar rreth 80 mijë euro, pasi që viktimave iu kanë kërkuar vlera nga 3 mijë deri në 6 mijë euro.
“Të dëmtuarit i’a dorëzojnë qoftë me para të gatshme apo përmes transfereve bankare dhe pavarësisht që të njëjtit presin me muaj të tërë, kontratat e punës nuk arrin të i siguroj asnjëherë, si dhe të hollat nuk u’a kthen”, shkruan në kumtesë, transmeton Gazeta Enigma.
N.L, sipas aktakuzës, u ndihmua edhe nga gruaja e tij K.L, e cila akuzohet se derisa burri i saj nuk ka qenë në Kosovë, ajo është takuar me disa nga të dëmtuarit ku edhe ka pranuar shuma të të hollave nga 3 mijë deri në 6 mijë euro.
Sipas prokurorisë, e akuzuara pastaj këto shuma të të hollave i ka deponuar në llogarinë bankare të burrit të saj. /Gazeta Enigma