Gerard Pique u akuzua dje për përfshirje në një skandal të vërtetë milionësh dhe për korrupsion.
Futbollisti i Barcelonës u përfshi në një skandal së bashku me presidentin e Federatës Spanjolle të Futbollit, Luis Rubiales, shkroi mediumi “El Confidencial”.
Ata akuzohen se në vitin 2019 kishin arritur marrëveshje që t’i merrnin së bashku 24 milionë euro për ta transferuar mbajtjen e Superkupës së Spanjës në Arabinë Saudite.
Qendërmbrojtësi i Barcelonës dhe presidenti i kompanisë “Kosmos” e kanë bërë të qartë se kjo marrëveshje me Federatën Spanjolle ishte totalisht legale dhe se e vetmja gjë ilegale është audio-incizimi dhe filtrimi i tij për një interes të caktuar.
“’El Confidencial’ më ka thirr një javë më parë dhe më thanë se kjo gjë do të publikohej. Ju thash se nuk ma ndien, nuk kam se çka të fsheh. Ne po flasim për diçka që është totalisht legale. Njerëzit mund të dyshojnë nëse ishte korrekte apo nëse është një konflikt interesi, por ajo që është ilegale është që të merren audiot private dhe të filtrohen për një interes të caktuar. Dhe, ju nuk jeni dhe aq të çmendur për të mos e ditur se kush fshihet prapa kësaj”, deklaroi Pique për “Twitch”.
Ai insiston se ky nuk është një konflikt interesi pasi kompania në të cilën ka aksione ai, “Kosmos”, bën biznes me ligën dhe me UEFA-n.
“Ne bëjmë gjëra dhe marrëveshje me ligën, me UEFA-n dhe me Federatën. Si mund të quhet konflikt interesi kur njerëzve ua jep një mundësi. Kështu funksionon biznesi. Më pas, ju mund të mendoni mirë apo keq. Ky vend punon kështu, unë nuk e kam problem të shpjegoj gjithçka”, vazhdoi Pique.
“Presidentit të Federatës i pëlqeu ideja dhe mendoj se kishte sukses. Federata e kishte marrë një ofertë edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga Miami, por edhe një ofertë nga Katari. Por, në fund vendosi që Superkupa e Spanjës të mbahej në Arabinë Saudite”, përfundoi Pique.