Shumë thirrje telefonike me numra të Shqipërisë kanë shqetësuar qytetarët e Zvicrës ditëve të fundit.
Thirrjet që dyshohet se janë bërë nga mashtruesit kanë bërë që të ketë alarmim të autoriteteve të Zvicrës, me provajderin “Swisscom” që i ka bllokuar menjëherë.
Pos thirrjeve nga Shqipëria, ka pasur raportime për thirrje edhe nga Zimbabveja e Lituania.
“Numri i shfaqur nuk lidhet në të vërtetë me personin që e ka atë numër. Autorët i përdorin teknikat e veçanta për këtë”, ka thënë zëdhënësi i policisë kantonale të Zurichut, Marc Besson, duke shtuar se qytetarët e Zvicrës nuk duhet t’i thirrin këta numra sepse një thirrje e shkurtër mund të kushtojë mbi 20 franga, shkruan “20min”.
Mashtrimi s’është i ri, sipas ekspertit të sigurisë kibernetike Thomas Dubendorfer. “Herën e fundit ka pasur shumë thirrje si kjo, 20 apo më shumë franga kushtonte thirrja prapa. Kjo mund të jetë shifër jo e lartë, por e vlefshme për mashtruesit”, ka thënë ai.
Qendra e Sigurisë Kibernetike në Zvicër s’ka pranuar raportime për asnjë thirrje të huaj në ditët e fundit – por nga emailat mashtrues për abonime në platforma të ndryshme. Kjo besohet të ketë ndodhur për shkak se provajderët kanë reaguar shpejt.
“Në dy ditët e fundit, më 26 dhjetor dhe në veçanti më 27 dhjetor, filtri i thirrjeve i ka bllokuar dy numra shqiptarë në 99 për qind të rasteve”, ka thënë zëdhënësja e “Swisscomit”, Sabrina Hubacher. Sipas saj, ky filtër bllokon çdo ditë rreth 200 mijë thirrje./Gazeta “Enigma”/