Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka kujtuar profesorin e ndjerë, Ejup Statovcit, me rastin e ditëlindjes së tij.
Kurti zgjodhi fjalët më të mira për ish-rektorin teksa thotë se u vu në krye të Universitetit të Prishtinë në dekadën më të vështirë të tij..
“I thellë në të menduar, profesional në shkencë, i përkushtuar në punë, i dashur me studentë, serioz në veprime, intelektual dhe patriot në shoqëri, Prof. Ejup Statovci e etabloi figurën e tij në historinë moderne të Kosovës, duke u vënë në krye të Universitetit të Prishtinës në dekadën më të vështirë të tij, gjatë viteve të 1990-ta”.
Kreu i Qeverisë në postimin e gjatë ku tregon në detaje biografinë e ish-rektorit, përmend edhe kohën kur u printe studentëve në protesta.
“Pikërisht atëherë kur profesorët dhe studentët shqiptarë u përjashtuan nga universiteti dhe kur pushteti fashist serb i Beogradit e mohonte fare ekzistencën e Universitetit të Prishtinës, ky institucion u bë universitet më shumë se kurrë, duke i prirë më universales së një shoqërie, luftës për paradigmën e lirisë. Kurse vetë Universitetit të Prishtinës i printe Profesor Ejup Statovci, rektori që pati vizion intelektual, guxim patriotik dhe kurajo qytetare, që më 1 tetor 1997, të radhitej në rresht të parë me ne studentët në protestën që paqësisht e bëri aktive rezistencën kundër okupimit dhe apartheidit të Serbisë ndaj shqiptarëve në Kosovë”.
“Arrestimet, kërcënimet dhe bastisjet që ia bënte policia e Serbisë, nuk e ndalën dhe as nuk e mëdyshën Prof. Ejupin në misionin e tij që ta mbante në këmbë Universitetin e Prishtinës dhe ta ruante vazhdimësinë e jetës studentore dhe akademike të tij. Në një kohë kur Kosova kishte nevojë jetike për njohje të çështjes së saj ndërkombëtarisht, Prof. Ejup Statovci krijoi dhe mbajti kontakte me universitete të tjera në Berlin, Jena, Drezden, Vjenë, Leqe, Lublanë dhe Zagreb”, ka shkruar Kurti në Facebook.