Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas deklaratave të deputetit të Vetëvendosjes, Ilir Kërçeli, në emisionin “Pressing”, duke i cilësuar pretendimet ndaj bashkëshortes së tij si shpifje, raporton GazetaBlic.
Abdixhiku ka theksuar se bashkëshortja e tij, Albina, nuk është marrë dhe nuk merret me tregti të energjisë elektrike, ndërsa ka kërkuar që pretendimet të verifikohen pranë Zyrës së Rregullatorit për Energji.
Ai ka bërë të ditur se bashkëshortja e tij tashmë ka ngritur padi ndaj gazetarit Lirim Mehmetaj dhe se do ta mbështesë edhe në ngritjen e një padie ndaj deputetit Kërçeli.
“Përballjen politike e keni me mua. Më kundërshtoni për qëndrimet, vendimet dhe punën time, por të sulmosh bashkëshorten time me gënjeshtra për të më goditur mua është akt burracak”, ka shkruar Abdixhiku.
Në reagimin e tij, kreu i LDK-së ka folur edhe për tregtinë e energjisë elektrike, duke e cilësuar mafian energjetike si një nga problemet më të rënda të vendit dhe duke thënë se do të vazhdojë të kërkojë llogari për këtë çështje.
