Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka paralajmëruar një dimër të vështirë energjetik, duke thënë se çmimet në tregjet ndërkombëtare kanë arritur në rreth 500 euro për megavat-orë që në ditët e para të nëntorit.
Rizvanolli ka krahasuar situatën aktuale me krizën energjetike të vitit 2021, kur çmimet e tilla ishin regjistruar në kulmin e dimrit.
Ajo ka thënë se një nga arsyet kryesore për këtë situatë është konflikti në Iran dhe mbyllja e Ngushticës së Hormuzit, që ka ndikuar në furnizimin me naftë dhe gaz natyror të lëngëzuar.
Rizvanolli ka theksuar se edhe Kosova po përballet me sfida, sidomos për shkak të bllokut B1 të Termocentralit Kosova B, i cili është jashtë funksionit që nga 6 prilli për shkak të investimeve në elektrofiltra dhe sistemin e deazotizimit.
Sipas saj, projekti ka pasur vonesa, ndërsa Ministria ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me KEK-un dhe Bashkimin Evropian për përshpejtimin e punimeve.Si masë për përballimin e situatës, ministrja ka bërë të ditur se janë rritur kapacitetet interkonektive me Shqipërinë, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut për 350 megavat në total.
