Kryetari i Ferizajt, Agim Aliu, tha se kjo komunë do jetë në konkurrencë me qytetet e rajonit edhe për katër vitet e tjera, duke konfirmuar kandidimin e tij edhe për një mandat tjetër.
Aliu foli edhe për reformën në Partinë Demokratike të Kosovës, duke shtuar se është koha dhe kërkesa e elektoratit që kjo parti të ndryshojë.
“Partia Demokratike ka kohë që ka filluar ndryshimet, por ritmi duhet vazhduar, dhe duhet një ndryshim esencial, një ndryshim thelbësor. Sigurisht se është i vështiri për t’u bërë gjitha ajo që është kërkesë e elektoratit, por edhe mbi të gjitha edhe e qytetarëve, sepse PDK është duke kaluar në një periudhë ku mungon lidershipi i saj, dhe sigurisht është e vështirë të bëhet gjithë ajo që e thashë që është kërkesë”, ka shtuar Aliu.
Tutje, kryetari i Ferizajt tha se do të garojë edhe për një mandat tjetër, duke shtuar se synim kryesor është hapja e vendeve të reja të punës.
“Kur jam bërë kryetar, kam pasur një platformë qeverisëse ku kam qenë i sigurt që kjo platformë do të ketë implementim 100%, edhe pse përkundër sfidave dhe të një mandati më të vështirë në historinë politike të Ferizajt, sepse patëm katër Qeveri të ndryshme gjatë mandatit tonë, patëm pandeminë, dhe jo që kam realizuar ato që kam premtuar, por kemi tejkaluar shumë nga ato që kemi premtuar”, tha Aliu.