Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka kritikuar partitë opozitare se po dëshirojnë të mbrojnë “keqqeverisjen” e kaluar duke e akuzuar atë.
Në reagimin e tij, ministri tha se sulmet e opozitës karshi tij janë sepse po prek në kontrata dhe shkelje që kanë ndodhur në të kaluarën. Në seancën plenare, Aliu foli edhe për punësimin e motrës së tij në Komisionin për Odën e Farmacistëve dhe punën e tij si drejtor në kryeqytet.
“Ju po dëshironi të mbroni veten duke akuzuar. Dëshironi të sulmoni drejt tek unë sepse unë po preki qaty. Ju po e përmendni Panamanë, në konferencën e sigurisë ku ka të bëjë për shpëlarjen e parasë dhe krimin në përgjithësi. Shteti amerikan e ka organizuar në Panama”
“Kam qenë me ftesë të Departamentit Amerikan dhe kam shkuar të mësoj se qysh bëhet shpëlarja e parave. Pikërisht këtu ju e dini çka ka me iu prit sepse po merret me ata konkrete. Kur filluat ju të reagoni e pash se çka ka ndodhur brenda dhe çka keni bërë ju, i bie se kemi shumë punë. Unë nuk mundem të mbyll sytë kur më vjen një shkelje përpara”, tha ai.
I akuzuar për nepotizëm në punësimin e motrës së tij, ministri Aliu tha se nuk ka qenë në dijeni për një gjë të tillë, por tha se e njëjta ka qenë e angazhuar edhe gjatë ish qeverisjeve të kaluara.
“E quani punësim angazhimin e motrës sime në një komision në Odën e Farmacistëve. Ajo nuk është e punësuar tash, ka qenë e punësuar në Spital në barnatoren e interno, është specialiste e farmacistes klinike. Gjasat që ajo me qenë pjesë e atij komisioni janë shumë të mëdha. Ka qenë aktive edhe më herët edhe gjatë kohës sa ka qenë ministri i juaj. Ky nuk ka qenë punësim, është ftuar dhe e ka marrë atë detyrë. Pse është ftuar nuk e kam idenë, por duhet ta sqarojnë ata të odës”, tha ai.
Për kontestimin e punës së tij si drejtor në komunën e Prishtinës, Aliu tha se është e njëjta situatë sikur tani në mistri, pasi në kryeqytet defakto kanë qeverisur LDK dhe PDK.
“Pavarësisht se para me qenë unë drejtor në pushtet në Prishtinë ka qenë LDK, defakto pushtetin e ka pasur PDK dhe LDK bashkë. Pasi në secilin rast që e kam prek këcejshin prej dy anëve, kërcimet i kam parë të sinkronizuar nga dy anët. Është njëjtë sikur sot që kemi kërcime dhe sinkrone nga parti të ndryshme”, u shpreh ai.