Të mërkurën ambasadorët e shteteve anëtare të BE-së kanë dhënë dritën jeshile për të lehtësuar pezullimin e liberalizimit të vizave, raporton Gazeta Enigma.
Kështu të paktën ka njoftuar gazetari Rikard Jozwiak.
Muajin e kaluar, Parlamenti Europian ka mbështetur ndryshimin në legjislacion për ta bërë më të lehtë heqjen e të drejtës për udhëtim pa viza në BE nga vendet që paraqesin rreziqe sigurie ose shkelin të drejtat e njeriut.
Eurodeputetët në tetor miratuan një reformë të mekanizmit të pezullimit të vizave të BE-së në lidhje me 61 vende, shtetasit e të cilave aktualisht mund të udhëtojnë në zonën Shengen pa vizë për qëndrime të shkurtra deri në 90 ditë në çdo periudhë 180-ditore ku përfshihet edhe Kosova.
Jozwiak njoftoi edhe për datat se kur do të mund të hyjë në fuqi ky ndryshim dhe tha se kjo mund të përdorët së shpejti ndaj disa kategorive të shtetasve gjeorgjianë.
“Ambasadorët e BE-së sapo kanë dhënë dritën jeshile për ta bërë më të lehtë pezullimin e liberalizimit të vizave të BE-së. Më 17 nëntor: ministrat pritet ta miratojnë zyrtarisht marrëveshjen. Më 26 nëntor: ceremonia e nënshkrimit në Parlamentin Europian. Në dhjetor: hyn në fuqi. Mund të përdoret së shpejti kundër disa kategorive të mbajtësve të pasaportave gjeorgjiane”, ka shkruar ai në X.
