Ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti, ka dhënë informacione shtesë mbi pranimin avokatëve kosovarë në Republikën Feredale të Gjermanisë.
Ajeti ka sqaruar ndryshimin e urdhëresës së Ministrisë së Drejtësisë së Republikës Federale të Gjermanisë, për zbatimin e nenit 206 të Ligjit Federal të Avokatëve, ku thotë se përmes saj është krijuar për herë të parë baza ligjore për njohjen e avokatëve nga Republika e Kosovës në Gjermani, duke iu mundësuar atyre të bëhen anëtarë të Odës së Avokatëve në Gjermani dhe të ushtrojnë veprimtarinë e tyre si avokatë të huaj në shtetin gjerman, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Me këtë ndryshim, avokatëve nga Republika e Kosovës iu njihet statusi si avokatë të huaj, të cilët mund të mbartin emërtimin e tyre profesional (“Avokat, Advokat”) dhe mund të ju ofrojnë personave fizik dhe juridik shërbime ligjore në fushën e të drejtës së shtetit (të Republikës së Kosovës) ku janë të licencuar si avokat (për shembull të këshillimit ligjor të së drejtës së aplikueshme në Kosovë ). Përmes këtij ndryshimi, avokatët nga Republika e Kosovës do të kenë të njëjtin status me avokatët tjerë të huaj në Gjermani, sikurse të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Mbretërisë së Bashkuar, të cilët gjithashtu janë pjesë e Urdhëresës së lartcekur”, njofton Ajeti.
Ai shtoi se kjo urdhëresë nuk vlen vetëm për avokatët nga Republika e Kosovës, por edhe për avokatë të tjerë të huaj të licencuar në Gjermani.
“Megjithatë, kjo urdhëresë nuk iu mundëson avokatëve të huaj që të ofrojnë shërbime ligjore në fushën e të drejtës gjermane dhe as të përfaqësojnë palë para gjykatave në Gjermani. Kjo e drejtë është e rezervuar vetëm për juristët, të cilët e kanë kryer ekzaminimin e dytë shtetëror (2. Staatsexamen) në Gjermani”, thekson ambasadori.
Procesi i anëtarësimit të avokatëve të huaj në Gjermani, Ajeti tha se bëhet përmes Odës së Avokatëve në landin përkatës. Dokumentacioni i kërkuar dhe i nevojshëm varion ndërmjet Odave të ndryshme të landeve gjermane. Pas pranimit, Oda përkatëse vendos për pranimin e avokatëve të huaj, duke pajisur me kutinë postare elektronike të avokaturës që e posedon çdo avokat në Gjermani.
Njoftimi i plotë i Ajetit: