Ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka folur lidhur me çështjen e targave, duke thënë se hapat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës, janë në drejtim të duhur.
Ai thekson se për shkak të zbatimit administrativ, do duhej të kishte një fazë tranzitore 12 muajshe, për zbatimin e vendimit për targat.
“Më duhet të them se ne si BE dhe si përfaqësues të QUINT-it, nga fillimi kemi thënë se masat e Qeverisë së Kosovës janë legjitime, se këto targa duhet të ndërrohen dhe nga fillimi i verës kemi thënë se duhet të parashihnim një proces që do të zgjaste 12 muaj”, tha ambasadori Rohde, duke theksuar se e gjitha është legjitime, por të ketë një fazë tranzitore prej 12 muajsh.
“Kjo edhe për shkak të zbatimit administrativ”, u shpreh ai, për RTK.
Më tej ai tha se propozimet mund të merren ose mund të mos merren.
“Nëse nuk merren, mund të ketë eksalim të situatës e ajo çfarë nuk na duhet tani është eskalimi i situatës”, tha ambasadori gjerman.
Sipas tij, ka shumë procese, prandaj dëshirohet që këto masa të zbatohen, dhe kjo nuk duhet të ndërpriste procese të tjera politike.
Rohde foli edhe për e Procesin e Berlinit.
Sipas tij, me tri marrëveshjet e nënshkruara, tashmë sigurohet lëvizje e lirë e njerëzve dhe njihen kualifikimet.
Ai tha se në kuadër të Procesit të Berlinit, është mbajtur fjala se Ballkani Perëndimor do të çohet përpara.