Ambasadori izraelit në Serbi, Jahel Vilan tha në TV Prva se Izraeli e njohu pavarësinë e Kosovës nën presionin amerikan, shkruan B92.
“Mos më keqkupto, kjo është një temë e rëndësishme, por është një histori tjetër. Vendimi i Izraelit për ta njohur pavarësinë e Kosovës u bë nën presionin amerikan, përndryshe mos të harrojmë se u bë brenda kornizës së marrëveshjes midis Serbisë dhe Kosovës me Amerikën, jo me ne. Unë nuk po përpiqem të fshihem pas kësaj, ai vendim u mor nga Izraeli pas shumë vitesh kur ne nuk e njohëm Kosovën. Dhe është kundër interesave tona në Serbi”, tha ai.
I pyetur nëse Izraeli do ta rishikonte vendimin për njohjen e Kosovës, ambasadori izraelit në Beograd tha se nuk do të dëshironte të krijonte hapësirë për optimizëm për publikun serb.
“Unë nuk e shoh atë mundësi për momentin. Është arritur një marrëveshje, Izraeli e ka njohur Kosovën dhe Kosova do ta zhvendosë ambasadën në Jeruzalem. Unë nuk e shoh se do të tërhiqet njohja e Kosovës për sa kohë që të dy palët e pranojnë atë në marrëveshje”, tha ai.
Me insistimin e gazetarit të TV Prva-s se Serbia nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës me asnjë marrëveshje, ambasadori izraelit thotë se nuk e ka parë marrëveshjen.
“Pse do ta shihja atë dokument, nuk është marrëveshja ime, Serbia e nënshkroi atë dokument. Unë nuk pashë ndonjë mohim nga Serbia dhe Amerika. Serbia kurrë nuk e mohoi atë që e nënshkroi. Unë nuk pashë askënd në Serbi të thoshte se ata nuk nënshkruan marrëveshje, dokumenti ekziston me sa di unë”, tha ai.
Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Nikolla Selakoviq, iu përgjigj këtyre deklaratave në emision.
Ai tha se deklarata e ambasadorit izraelit se Serbia “njohu” Kosovën është absolutisht e pasaktë dhe se bëhet fjalë për “një lloj vrazhdësie”.