Emocionet e Kupës së Kosovës në futboll do të rikthehen të mërkurën me ndeshjet çerekfinale.
Ndeshjet çerekfinale luhen të mërkurën nga ora 13:00, por vëmendja kryesore do të jetë në Podujevë në takimin Llapi – Gjilani. Po ashtu takim interesant pritet jetë edhe ai mes Ballkanit dhe Prishtinës.
Analistët dhe trajnerët e futbollit Arbnor Morina dhe Genc Sermaxhaj në një bisedë për Gazetën Enigma, kanë treguar pritjet e tyre për këto ndeshje.
Trajneri i njohur Arbnor Morina, pret një ndeshje të mirë në takimin Llapi – Gjilani. Ai i jep përparësi skuadrës së Ismet Munishit, pasi sipas tij Gjilani është brenda objektivave duke bërë që presioni për ndeshjen e nesërme të bie te Llapi.
“Ka me qenë prapë një lojë e mirë nga dy ekipe të komponuara mirë, dy ekipe të cilat kanë numër të madh të lojtarëve kualitativ. Përparësia e Gjilanit është që është brenda objektiva në kampionat, ndërsa në anën tjetër Llapi është pak më larg sa i përket titullit të kampionit, por e ka mundësinë me dalë në Europë përmes kupës, kështu që edhe njëra edhe tjetra kanë me synu me e bo maksimumin në këtë takim edhe me e lypë rrugën në Europë përmes kupës”, thotë trajneri Morina.
“Po e them prapë se Gjilani e ka një përparësi se është afër në luftë për titull”, thotë ai.
Morina thotë se Ballkani ka përparësi pasi luajnë bashkë më shumë se tre vite dhe kanë stabilitet.
Ai thotë se nëse Prishtina eliminohet nga Kupa e Kosovës, atëherë sezoni i tyre do të jetë i dështuar.
“Ballkani ka një ekip shumë të mirë që luan më shumë se tri vite bashkë edhe kanë një stabilitet mjaftë të mirë. Prishtinës iu kanë shfaqë disa probleme, por mendoj që në ndeshjen e kupës nuk kanë me qenë aq shumë të dukshme për arsye se Prishtina nëse dëshiron me bo diçka për Europë është përmes kupës”, thotë Arbnor Morina për Gazetën Enigma.
“Prishtina mundet me u frymëzu në këtë lojë për me e pa vetën në garat europiane. Përndryshe nëse edhe këtu dështojnë i gjithë viti është i dështuar për Prishtinën”, thotë ai.
Trajneri i Ferizajt, thotë se Ulpiana ka treguar lojëra të mira si mysafir ashtu edhe si vendas. Morina pret që Drita ta shfrytëzoj terrenin vendas edhe pse nuk do të jetë e lehtë për skuadrën e Ardian Nuhiut.
“Ulpiana ka treguar lojëra të mira edhe si vendas edhe si mysafir. Drita ka pasur synime të shumta prej fillimit të kampionatit, ka një numër të madh të lojtarëve kualitativ ka një konkurencë të madhe brenda ekipit edhe ka me u mundu me e shfrytëzu fushën vendase për me pasë rezultat pozitiv. Nuk do të jetë lehtë nesër për Dritën”, vlerëson Morina.
Një takim tejet simpatik pritet të jetë ai mes Ramiz Sadikut dhe KEK-ut, njëra skuadër garon në Ligën e Parë, kurse tjetra në Ligën e dytë. Analisti Arbnor Morina, thotë se të dy skuadrat kanë lojtarë të rinjë dhe pret një sfidë interesante nga ky takim.
“Të dy skuadrat kanë bërë ndryshime brenda ekipit. Kanë futbollistë të ri dhe me perspektivë edhe kom pas raste me lujtë kundër Ramiz Sadikut, ka qenë ekip shumë i fuqishëm shumë i fortë. Trajneri ka punu mjaftë mirë me këtë ekip. Në anën tjetër një lojë miqësore e kemi luajtur me KEK-un, ku kemi pa që KEK-u ka ndryshu shumë nga vitet e kalume, ka ndryshu për të mirë. Ka me qenë një lojë tepër interesante”, thotë Arbnor Morina.
Ndërsa, analisti i futbollit, Genc Sermaxhaj, thotë se e gjithë vëmendja në ndeshjet e kupës do të jetë në takimin Llapi – Gjilani.
“Vëmendja padyshim është tek ndeshja Llapi – Gjilani, ku përveç që janë ekipe të mira, këtë rivalitet të do t’a vazhdojnë ngjashëm sikur në ndeshjen e fundjavës kampionale që barazuan në të cilën u zhvillua një lojë shumë e mirë”, thotë Sermaxhaj.
Sermaxhaj vlerëson se Llapi ka përpëri pasi luan në terrenin e tij. Ai e quan hendikep mungesën e mesfushorit Riveira.
“Përparësi ka llapi tani sepse luan në terrenin e tij dhe po tregon lojëra të mira, por hendikep mund të ketë mesfushorin Riveira i cili nuk luan shkak i kartonit të kuq në fundjavë”, vlerëson Genc Sermaxhaj.
Genc Sermaxhaj thotë se Gjilani do ta kërkoj fitoren në takimin e nesërm në bazë të përvojës së lojtarëve.
“Gjilani do të kërkoj fitoren me përvojën e saj. Një ekip e cila po vrapon shumë dhe lojtarët e saj po shënojnë në bazë të përvojës që kanë në situata të veçanta të lojës. Do të jetë një lojë shumë e mirë për ta ndjekur”, thotë Sermaxhaj.
Ai thotë se Ballkani dhe Drita pritet të kenë punë të lehta ndaj Prishtinës dhe Ulpianës.
“Ballkani do ta ketë më lehta ndaj Prishtinës të cilën e kanë kapluar problemet dhe poashtu Drita do ta ketë të lehtë ndaj Ulpianës”, ka potencuar ai.
Gjatë ditës së sotme është bërë edhe delegimi i gjyqtarëve për këto ndeshje.
Genc Nuza do ta ndajë drejtësinë në ndeshjen kryesore ndërmjet Ballkanit dhe Prishtinës që luhet në Podujevë. Fatlum Berisha dhe Bujar Selimaj do të jenë asistent të Nuzës, kurse në sistemin VAR do të jetë Alban Shala.