Të martën FC Ballkani udhëtoi në drejtim të Ishujve Faroe pa shumë zhurmë, pasi të enjten do të përballet me skuadrën e Klasvikut në kuadër të ndeshjes së kthimit të rrethit të tretë në Ligën e Konferencës.
Ndeshja e parë e zhvilluar më 4 gusht në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë përfundoi në të mirë të vendasve të cilët e fituan me rezultat 3-2.
Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja deri në momentin e rezultatit 3-0 dhuroi spektakël për të pranishmit në stadium, duke i shënuar tre gola të bukur me Nazmi Gripshin, Meriton Korencen dhe qendërsulmuesin Albion Rrahmani.
Fundi ishte jo i mirë për skuadrën nga Suhareka pasi i pësuan dy gola që e rikthyen në lojë Klasvikun.
Falë rezultatit nga ndeshja e parë, Klasviku pritet të tregoj lojë më të ashpër në kërkim të rezultatit.
Analisti i futbollit Genc Sermaxhaj në një bisedë për Gazetën Enigma, thotë se Ballkani duhet të jetë më i kujdesshëm në ndeshjen e kthimit ndaj Klasvikut.
“Në ndeshjen e dytë ekipi i Ballkanit duhet të jetë i kujdesshëm dhe të shfrytëzoj çdo gjë racionalisht dhe të menaxhoj lojën nga fillimi e deri ne fund që të mos e sjell veten në situata të plakmueshme. Gjithashtu duhet të kërkoj aksionet e saj për të arritur shpejt tek goli”, vlerëson Sermaxhaj.
Sermaxhaj këshillon Ballkanin që të jetë i koncentruar në fundin e takimit, pasi Klasviku kërkon gol në çdo minutë.
“Ballkani duhet të shtoj koncentrimin e përceptimin e saj në çdo minutë, e sidomos në fund të ndeshjes sepse ekipi vendas do të kërkoj me çdo kusht golat. Në këtë aspekt duhet të ketë kujdes”, potencon ai.
Sipas Sermaxhajt në ndeshjen e kthimit mbetet gjithçka e hapur falë rezultatit të ndeshjes së parë 3:2.
“Ekipi i Klaksvikut me dy golat që shënoi si mysafirë, ka shtuar motivin dhe ambiciet për ndeshjen e dytë, dhe këtë ia ka mundësuar ekipi i Ballkanit duke mos qenë e kujdesshme. Sikur ndeshja të ishte 3:0, në të mirë të Ballkanit me shumë gjasë Ballkani do ta kishte më të lehtë, ndërsa tani me 3:2, gjithçka është e hapur”, potencon ai.
Ballkani në play – off mund të përballet me skuadrën e Shkupit, për t’a kërkuar një vend në fazën e grupeve në Ligën e Konferencës.
Ish-futbollisti i disa skuadrave kosovare, Genc Sermaxhaj thotë se një përballje e mundshme me Shkupin vetëm sa mund t’i motivoj lojtarët e Ballkanit.
“Nuk besoj se mund të ndikoj në psiqikën e lojtarëve të Ballkanit, përkundrazi mund të jetë një motiv shtesë për të treguar nivel e rezultat të mirë ndaj Shkupit”, thotë ai.
Ndërsa kapiteni i FC Ballkanit, Edvin Kuc shpreson për një rezultat pozitiv ndaj Klasvikut.
“Duhet të jemi gati dhe të përshtatemi me të gjitha kushtet, e dimë që na pret një ndeshje e vështirë dhe jemi të fokusuar maksimalisht për të arritur një rezultat pozitiv. Ne do të arrijmë një rezultat pozitiv dhe do të kualifikohemi në play-off, kemi cilësi, kemi një epërsi prej 1 gol, do të japim më shumë se 100% të mundësive tona për të lumturuar të gjithë tifozët tanë”, shprehet i bindur Edvin Kuc për Gazeten Enigma.
Klasvik – FC Ballkani luhet të enjten nga ora 20:00 në stadiumin “Torsvollur”./GAZETA ENIGMA/