NATO-ja ka deklaruar se situata e sigurisë në Kosovë mbetet e tensionuar dhe e paqëndrueshme. Për anëtarësimin e Kosovës në NATO ose në Programin e Partneritetit për Paqe kërkohet konsensus nga të 32 aleatët.
“KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij të gjatë të Kombeve të Bashkuara – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qëndrueshëm dhe në lirinë e lëvizjes për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme. Ai vepron si siguria e tretë në reagim, në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe misionin e sundimit të ligjit të BE-së (EULEX), të cilat janë përkatësisht përgjegjëset e parë dhe të dytë për sigurinë,” thuhet në përgjigjen e NATO-s për RTV21, transmeton Gazeta Enigma.
Aktualisht, tensionet dhe paqëndrueshmëria vazhdojnë, veçanërisht në veriun e Kosovës, duke kërkuar rritje të trupave të KFOR-it që nga maji 2023. NATO-ja inkurajon institucionet në Kosovë që të angazhohen në mënyrë konstruktive në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja, për të ndihmuar në konsolidimin e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
NATO-ja gjithashtu vlerëson përshtypjen pozitive të popullit të Kosovës ndaj saj, por thekson se nuk ka pasur zhvillime të reja në drejtim të anëtarësimit.
“NATO-ja ka një politikë të dyerve të hapura. Por, anëtarësimi në NATO ose në Programin e Partneritetit për Paqe të NATO-s kërkon konsensus nga të 32 aleatët dhe nuk ka pasur zhvillime në këtë drejtim.”
Organizata thekson se ofron mbështetje për zhvillimin e organizatave të sigurisë në Kosovë përmes Ekipit Këshillues dhe të Ndërlidhjes së NATO-s (NALT).
Kjo mbështetje përfshin ndërtimin e kapaciteteve dhe koordinimin e edukimit dhe trajnimit – përfshirë Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK) – në përputhje me mandatin e saj fillestar për mbrojtje civile./GazetaEnigma/