Apeli e konfirmon aktakuzën për korrupsion ndaj Vesel Krasniqit dhe Endrit Shalës

Apeli e konfirmon aktakuzën për korrupsion ndaj Vesel Krasniqit dhe Endrit Shalës

Gjykata e Apelit e ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila kishte konfirmuar aktakuzën e Prokurorisë Speciale ndaj dy ish-ministrave të Tregtisë dhe Industrisë, Vesel Krasniqi dhe Endrit Shala, e cila dy të akuzuarit i ngarkon për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas vendimit të Apelit, ankesë ndaj vendimit të Themelores ka ushtruar mbrojtësi i të akuzuarit Krasniqi, avokati Artan Qerkini, për shkak të shkeljeve të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale, me propozimin që Gjykata e Apelit ta aprovojë si të bazuar ankesën dhe ndaj të pandehurit të hudhet aktakuza, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Kurse, mbrojtësi i të akuzuarit Shala, avokati Besnik Berisha, kishte ushtruar ankesë për shkak të shkeljeve të dispozitave të procedurës penale, me propozimin që Gjykata e Apelit ta aprovojë si të bazuar ankesën dhe ndaj Shalës të hudhet aktakuza.

Ndërsa, Prokuroria e Apelit nëpërmjet një shkrese kishte propozuar që të refuzohen si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve, ndërsa aktvendimi i ankimuar të vërtetohet.

Por, Gjykata e Apelit pas shqyrtimit të shkresave të lëndës dhe vlerësimit të pretendimeve ankimore në ankesa, me vendimin e 22 prillit 2025, gjeti se ankesat janë të pabazuara.

Sipas Apelit, nga shikimi i aktvendimit të gjykatës së shkallës së parë rezulton se shkalla e parë ka dhënë arsye të mjaftueshme dhe të qëndrueshme me refuzimin e kërkesave të mbrojtjes. Kjo Gjykatë gjen se aktvendimi i ankimuar nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.

Apeli thekson se nuk ekzistojnë arsyet për hudhje të aktakuës. Në rastin konkret, nuk qëndrojnë pretendimet ankimore të mbrojtjes se nuk ka prova të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë, meqenëse nga shikimi i shkresave të lëndës rezulton se provat të cilat janë propozuar në akuzën e Prokurorisë, janë të mjaftueshme për të mbështetur dyshimin e bazuar mirë.

Aty thuhet po ashtu se provat janë siguruar në mënyrë të ligjshme dhe në pajtim me dispozitat ligjore.

Related Articles