Gjykata e Apelit ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila kishte refuzuar si të pabazuara kundërshtimet dhe kërkesat për hudhje të aktakuzës në rastin ku Qendrim Marevci dhe Bekim Mehmeti ngarkohen për fajde, shpëlarje parash dhe vepra të tjera, derisa dëmi ndaj të dëmtuarve pretendohet të jetë mbi 6 milionë euro.
Mehmeti ngarkohet me veprat penale “Fajdeja”, “Shpëlarje parash”, “Falsifikim i dokumenteve”, “Mashtrim” dhe “Kanosje”, ndërkaq Marevci akuzohet për “Ndihmë në kryerjen e veprës penale “Fajdeja” dhe veprën penale “Shpëlarje parash”, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kujtojmë se dy të akuzuarit Mehmeti dhe Marevci ishin deklaruar të pafajshëm në seancën e shqyrtimit fillestar më 10 tetor 2025.
Vendimi i Gjykatës së Apelit:
Sipas vendimit të Apelit, ankesë ndaj vendimit të shkallës së parë kanë paraqitur mbrojtësi i Mehmetit, avokati Arlind Jupolli, si dhe për Marevcin, avokati Driton Muharremi, duke kërkuar që aktvendimi i Themelores të anulohet dhe të hudhet aktakuza e PSRK-së, apo që lënda të kthehet në rivendosje.
Apeli ka gjetur se vendimi i shkallës së parë nuk përmban shkelje esenciale të dispozitave të Kodit të Procedurës Penale apo shkelje tjera që do të kushtëzonin anulimin e vendimit.
Në vendim, kolegji i gjyqtarëve të Apelit ka vlerësuar se shkalla e parë drejt ka konstatuar se aktakuza e Prokurorisë Speciale është e mbështetur në prova të mjaftueshme nga të cilat krijohet dyshimi i bazuar mirë se Mehmeti dhe Marevci kanë kryer veprat penale që iu vihen në barrë.
Krejt ky dyshim, sipas vendimit të Apelit, është i bazuar në prova të mjaftueshme siç janë deklaratat e dëshmitarëve/ të dëmtuarve, si dhe në ato materiale.
Sipas Apelit, çështja në këtë fazë të procedurës nuk shqyrtohet në merita, por vlerësohet ekzistenca e provave që mbështesin dyshimin e bazuar, si dhe ligjshmëria e aktakuzës dhe vetë provave të listuara në të.
Prandaj, sipas Apelit, pretendimi i mbrojtësve se aktakuza është e mbështetur në prova që nuk krijojnë dyshimin e bazuar mirë, është i pabazë. Aty thuhet se aktakuzës i janë bashkëngjitur dëshmi që krijojnë standardin e dyshimit të bazuar mirë në raport me veprën penale dhe kryerësin e saj, duke krijuar kështu standardin e mjaftueshëm ligjor për procesim të çështjes me gjykim.
Lidhur me pretendimin e avokatit Jupolli se deklarimi i Mehmetit: “Tërhiqe padinë ose ka me të dal telashe me mua” nuk përbën vepër penale, sipas Apelit, për ekzistimin e kanosjes nuk kërkon domosdoshmërisht privimin nga jeta, rrëmbimin, privimin e lirisë apo përdorimin e armës, andaj sipas tyre, duhet të vijohet me gjykim të kësaj vepre ndaj Mehmetit.
Ndërkaq, lidhur me pretendimin e avokatit Muharremi se nuk ekziston asnjë raport apo ekspertizë financiare që do të dëshmonte ekzistencën e veprës penale të fajdesë apo të pastrimit të parasë, Apeli ka rikujtuar se në këtë fazë të procedurës penale nuk bëhet administrimi dhe vlerësimi përfundimtar i provave, e as nuk shqyrtohet çështja në merita.
Lidhur me provat, në vendim thuhet se shkalla e parë ka vlerësuar drejt se mbrojtja nuk ka dhënë ndonjë arsye specifike ose ligjore për shpalljen e tyre të papranueshme, sepse pretendimet lidhen kryesisht me vlerësimin e peshës dhe besueshmërisë së provave dhe jo me ligjshmërinë e sigurimit të tyre.
