Shqiptari Arianit Besiri ka fituar në zgjedhjet lokale në Gjermani, ka njoftuar të martën ambasadori i Kosovës në Gjermani, Faruk Ajeti.
Sipas Ajetit, Besiri ka fituar në zgjedhjet për kryetar të komunës në Morbach në landin Rheinland-Pfalz.
“Marrja e 60.2 për qind të votave në një komunë gjermane me rreth 11,000 banorë është një dëshmi e qartë e besimit dhe mbështetjes që Arianiti ka fituar nga komuniteti lokal”, ka shkruar Ajeti në Facebook.
Tutje ka bërë të ditur se Besiri është i angazhuar prej disa vitesh në politikën gjermane, në kuadër të SPD-së e së fundmi duke shërbyer si bashkëpuntor shkencor te deputeti Lars Castellucci, kryetar i Komisionit për Politikë të Brendshme në Bundestagun gjerman.
“Fitorja e tij nuk është thjesht një arritje personale, por një mesazh i fuqishëm për diasporën shqiptare dhe brezat e ardhshëm: suksesi dhe përkushtimi nuk njohin kufij kombëtarë”, ka shkruar tutje ai.