Politologu, Dritëro Arifi, vlerësoi që pa fuqinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tre policët kosovarë të kidnapuar nga forcat speciale të Serbisë në Leposaviq nuk do të lirohen asnjëherë.
Madje sipas tij, nga një presion i fuqishëm amerikan, policët brenda tri orëve do të jenë në shtëpi.
“Po vërehet që Kurti nuk e lexon shumë diplomacinë nga mënyra se si shprehet dhe mënyra se si i artikulon mesazhet politike, janë jashtëzakonisht brutale. Nëse në veri ka viktima, përfundon storia e Kosovës multietnike, këtë nuk jemi duke e kuptuar. Rrëmbimi i tre policëve tregon se sa e paaftë është Kosova. Po të mos jetë fuqia e ShBA-së, sa për Kosovën, sot e një mijë vjet ata policë nuk do të lirohen. Izolimi i Kurtit ka bërë që nuk mund as t’i telefonojë për t’i bërë presion Serbisë. Një presion i fuqishëm amerikan, ata policë për tri orë janë në shtëpi, por për fat të keq raportet janë të tensionuara”, deklaroi Arifi në emisionin “Këndi i Debatit” në Tëvë1.
Kujtojmë që Departamenti Amerikan i Shtetit ka kërkuar lirimin pa kushte të tre pjesëtarëve të policisë kufitare të Kosovës të rrëmbyer nga forcat serbe.