Personat që vuajnë dënimet për vepra të ndryshme penale në Qendra Korrektuese në Kosovë, ka raste kur gjejnë mundësinë dhe arrijnë që të arratisen nga hapësirat e burgjeve. Raste të tilla kanë qenë goxha të shpeshta dhe po ndodhin pikërisht në kohën e ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e cila është krekosur se po udhëheq suksesshëm me ministrinë dhe ka rritur nivelin e sigurisë në burgje dhe qendra korrektuese.
Një rast i tillë ka ndodhur edhe së fundmi në qendrën korrektuese për të mitur në Lipjan, ku një 17-vjeçar ka arritur të largohet dhe akoma nuk është kapur.
Sinjali mëson se rasti ka ndodhur të mërkurën, në orët e mbrëmjes, kur i mituri është arratisur nga kjo qendër, ku po vuante dënimin që nga muaji shtator i vitit të kaluar.
Sipas informacioneve të para, posa zyrtarët korrektues e kanë zbuluar se 17-vjeçari ka ikur, e kanë lajmëruar Policinë, por përkundër kërkimeve, policët ende s’kanë rënë në gjurmët e tij.
Lidhur me rastin është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve për arrestimin e të miturit dhe kthimin e tij në qendrën korrektuese.