Hetimi i Prokurorisë së Posaçme SPASK pas arrestimit të dhjetëra punonjësve të Policisë Kufitare shqiptare në Morinë, ka dhënë detaje të tjera.
Nga këto detaje bëhet e ditur se 34 persona janë nën hetim si pjesë e procedimit penal, 32 prej të cilëve punonjës të Policisë Kufitare në Kukës.
Ata dyshohen nga SPAK si të përfshirë në shpërdorim detyre dhe korrupsion.
Ditën e djeshme, këta persona janë përballur me gjykatën për verifikimin e masës së sigurisë dhe kjo masë është lënë e pandryshuar: për 15 persona ka arrest në burg, për 14 të tjerë ajo e arrestit në shtëpi, ndërsa për pjesën e mbetur, pezullim nga detyra.
Procedimi penal ka nisur që në nëntor të vitit 2020. Ka qenë një sinjalizim nga SHÇBA për paligjshmëri të punonjësve të pikës doganore të Morinës. Pasi janë vënë në përgjim disa punonjës, është pasuruar hetimi edhe me kallëzime nga qytetarë.
Sipas njërit prej tyre, i kishin kërkuar ryshfet, edhe pse ai nuk kishte asnjë problem me ligjin. Ai kishte pasur një ekspuls më herët, që kishte skaduar, por edhe pse kishte skaduar, punonjësit nuk e kishin lënë të kalonte pa ryshfet.
Hetimi i mëtejshëm doli në përfundim se 32 punonjës policie ishin të përfshirë në paligjshmëri.
Nga dosja hetimore rezulton se policët, përveçse merrnin ryshfet, bënin dhe ndarjen e këtij ryshfeti. Gjithashtu, ryshfet është marrë edhe për kalimin e shtetasve në doganë pa u regjistruar në sistemin TIMS.
Të gjitha këto bëheshin për 60-70 euro për person. Ndërsa shumat deri në 400 euro ishin për kontrabandën e mallrave, raporton A2 CNN.