Policia ka zbuluar një grup kriminalë i personave të dyshuar të cilët kryenin vjedhje të rënda në rajone të ndryshme të Kosovës.
Ky grup kriminalë ka kryer vjedhje në lokacione të ndryshme dhe për të realizuar vjedhjet kanë përdorur automjete të ndryshme dhe mjete të forta për hapjen e lokaleve me forcë, ku për cak kanë pasur kryesisht vjedhjen e gjësendeve me vlerë si: para të gatshme, pajisje elektronike, armë, cigare në dyqane, e gjëra të ndryshme me vlerë.
Pas një vëzhgimi policorë, tre persona janë arrestuar e që të njëjtët dyshohen për përfshirje në dhjetëra vepra penale të vjedhjeve dhe vjedhjeve të rënda të kryera në rajone të ndryshme.
Policia njofton se pas kryerjes së vjedhjes në një lokal në Prishtinë, fillimisht është arrestuar i dyshuari (R. A.), kurse të dyshuarit e tjerë të përfshirë në vjedhje edhe pse u janë dhënë urdhra të qarta për ndalim, kanë filluar ikjen duke përdor një veturë të tipit ‘Golf 5’.
Gjatë ikjes të dyshuarit me veturë kanë goditur dhe rrezikuar jetën e një zyrtari policor, ku për këtë, me urdhër të prokurorit është iniciuar rasti “Vrasje në Tentativë”, përderisa gjatë ikjes të dyshuarit kanë braktisur veturën në rrugë.
Vetura e braktisur është sekuestruar së bashku me disa dëshmi të gjetura brenda në automjet e të cilat dyshohet se janë gjësende të vjedhura.