Policia ka arrestuar sot dy persona të dyshuar për grabitje të armatosur në një pompë derivatesh në Fushë Kosovë.
Rastin e ka konfirmuar për Gazetën “Enigma”, Flora Ahmeti – zëdhënëse e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës.
“Sot nga Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme, që operon në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prishtinë, janë arrestuar dy persona të dyshuar për grabitje të armatosur. Rasti ka ndodhur me datën 23 gusht 2021 në Fushë Kosovë, saktësisht në një pompë derivatesh”, ka thënë Ahmeti.
Ajo ka thënë se progresi i hetimit policor për këtë rast ka rezultuar me identifikimin dhe arrestimin e personave të dyshuar A. A. 20 vjeç, dhe P. O, 18 vjeç, të dy shtetas të Republikës së Kosovës, për të cilët ekziston dyshimi i arsyeshëm se të njëjtit kanë qenë të përfshirë në rastin e grabitjes.
“Në koordinim më prokurorin hetuesit policor kanë kryer edhe bastisje në dy lokacione, ku kanë arritur të gjejnë dhe sekuestrojnë një sasi të substancës narkotike (marihuanë)”.
Personat e dyshuar me vendimin e prokurorit të shtetit janë ndaluar në mbajtje përderisa hetuesit po kryejnë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore e procedurale lidhur me rastin.