Dy shtetas të Kosovës janë arrestuar në Tiranë, në operacionin policor të koduar “Suspend”.
Dyshja u arrestua nën dyshimin për trafikim të armëve me vlerë afro 10 mijë euro.
“Si rezultat i hetimeve disamujore të kryera me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së armëve të zjarrit, Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të DVP Tiranë, ka organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar ‘Suspend’, si rezultat i të cilit u arrestuan shtetasit: A. P., 23 vjeç dhe K. P., 53 vjeç, të dy banues në Kosovë”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Të dyshuarve u janë gjetur dhe sekuestruar dy pistoleta dhe municion luftarak.
“Nga hetimet dyshohet se këta shtetas i kanë trafikuar pistoletat nga Kosova, me qëllim shitjen në Tiranë. Vijojnë hetimet në drejtimin e Prokurorisë, për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të përfshirë”, thuhet në njoftim.