Policia e Kosovës ka bërë të ditur se janë dërguar në mbajtje dy persona të dyshuar për hedhje të një granate dore në rrugën “Zekirija Cana” në Prishtinë më 12 prill. Si pasojë e shpërthimit të granatës ishin dëmtuar gjashtë vetura. Policia ka thënë se ka identifikuar të dyshuarit, F.F. (25) dhe E.M. (19), dhe pas intervistimit ata janë dërguar në mbajtje.
“Pas një pune intensive hetimore zyrtarët e njësitiit të hetimeve të Përgjithshme të rajonit të Prishtinës, kanë identifikuar dy persona të dyshuar për veprën shkaktim i rrezikut të përgjithshëm. Rasti (shpërthimi i një granate) ka ndodhë më datën 12.04.2024, në rrugën ‘Zekirija Cana’, në Prishtinë. Prezenca e personave të dyshuar: F.F, mashkull 25 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës dhe E.M, mashkull 19 vjeç, shtetas i Republikës së Kosovës, është siguruar sot nga ana e hetuesve. Pas intervistimit personat e dyshuar me vendim të prokurorit të shtetit, janë dërguar në qendrën e ndalimit”, ka njoftuar Policia.
Në orët e hershme të 12 prillit ishte hedhur një granatë dore në rrugën “Zekirija Cana”, ku si pasojë ishin dëmtuar gjashtë vetura. Ishte konsideruar se dëmi material ishte i konsiderueshëm, por nuk pati të lënduar.
“Rr. Zekirija Cana, Prishtinë 12.04.2024-06:50. Njësitet policore, pas pranimit të informatës lidhur me rastin, kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë vërejtur se si pasojë e një mjeti që kishte shpërthyer janë dëmtuar gjashtë vetura. Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitet e PK-së për deminim dhe sipas tyre dyshohet se mjeti shpërthyes ka qenë granatë dore. Të lënduar nuk ka, ndërsa dëmet materiale janë të konsiderueshme. Me urdhër të prokurorit, rasti mbetet nën hetime”, kishte njoftuar policia.