Katër persona janë arrestuar këtë të premte në rajonin e Mitrovicës pasi dyshohen për veprën penale “lëshimi i çeqeve pa mbulesë ose të rremë dhe keqpërdorimi i kartelave të bankës apo të kreditit”.
Sipas njoftimit, hetuesit policorë kanë kontrolluar katër lokacionet e të dyshuarve, ku janë gjetur e sekuestruar disa prova materiale të cilat do të përdorën në procedurë të mëtejme.
“Gjatë operacionit policor janë arrestuar katër të dyshuar: E.S., (viti i lindjes 2000, mashkull kosovar), I.P., (viti i lindjes 2002, mashkull kosovar), A.S., (viti i lindjes 2001, mashkull kosovar) dhe E.S., (viti i lindjes 2002, mashkull kosovar)”, thuhet në komunikatën për media të policisë.
Dyshohet se të njëjtit kanë keqpërdorë kartela bankare, duke siguruar në mënyrë të paligjshme të dhëna të kartelave bankare, kartelat pastaj i kanë përdorur për blerje të mallrave të ndryshme.
“Të dyshuarit janë intervistuar dhe më pas me aktvendim të prokurorit, tre të dyshuarit e parë dërgohen në mbajtje deri ne 48 orë, kurse lënda ndaj të dyshuari të katërt do të zhvillohet në procedurë të rregullt”, thuhet tutje.