Një gazetar i sportit në San Francisko të Shteteve të Bashkuara është arrestuar nën akuzën se kishte therur për vdekje të nënën e tij.
I dyshuari u identifikua si Nicholas Roth, 41 vjeç, i cili punonte me gjysmë orari në kompaninë “Bay Area News Group”, botuese e gazetave “East Bay Times”, “Mercury News” dhe disa të tjerave.
“Nëna e tij, Darlene Roth, 74 vjeçe, e telefonoi policinë të hënën për të raportuar se është therë. Ekipi emergjent i ofroi ndihmë asaj, kur arriti në vendin e ngjarjes, por e moshuara vdiq pas dërgimit në spital”, thuhet në një deklaratë të policisë.
Dokumentet e akuzës thonë se i dyshuari përdori një thikë gjatë sulmit. Nuk është raportuar menjëherë për motivin e mundshëm, shkruan Fox News.
Policia e gjeti në vendin e ngjarjes të dyshuarin, e arrestoi dhe e akuzoi për vrasje dhe abuzim të të moshuarve me pasojë vdekjen, raportoi “East Bay times”.
I dyshuari po mbahet në burgun e distriktit Contra Costa në pritje të masave të mëtejme ligjore, thuhet në raportim.