Policia e Kosovës ka njoftuar se sot ka arrestuar një 48 vjeçar në Viti, pasi i njëjti u hetua për dhunë në familje derisa pas kontrollit në shtëpinë e tij u gjeten armë pa leje, për çka me vendim të prokurorit u ndalua për 48 orë.
“Drejtoria Rajonale Gjilan, Njësiti i Hetimeve të Stacionit Policor Viti gjatë hetimit të një rasti të dhunës në familje të ushtruar nga i dyshuari Kosovar Shqiptar A.E. (1974) ndaj bashkëshortes së tij Kosovare Shqiptare S.E.(1989), me urdhër të Gjyqtarit të procedurës paraprake ka kryer një kontrolle në shtëpinë dhe objektet përcjellëse të të dyshuarit të lartcekur. Gjatë kontrollit janë gjetur dhe konfiskuar si dëshmi materiale për Gjykatën një (1) revole e tipit SIG e kalibrit 9 mm. së bashku me një (1) karikator dhe pesë (5) fishekë të kalibrit 9 mm”, thuhet në raportin e Policisë.
Ndaj të dyshuarit me urdhër të Prokurorit ngritet kallëzim penal për veprat penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve’’ dhe , “Dhunë në familje’’ derisa ndaj të dyshuarit është caktuar masa e ndalesës për 48 orë.