Një rast i vjedhjes së bagëtive është zbardhur nga hetuesit policorë në Prizren, ku është identifikuar dhe arrestuar një i dyshuar.
Sipas Policisë së Kosovës, më 23.06.2026, rreth orës 13:00, hetuesit nga Stacioni Policor Prizren Veri kanë identifikuar dhe lokalizuar të dyshuarin D. T., 62-vjeçar nga fshati Serbicë e Poshtme e Prizrenit, i dyshuar për veprën penale “vjedhje e rëndë”.
I njëjti dyshohet se më 14.06.2026 kishte vjedhur disa qengja me vlerë rreth 1,000 euro në fshatin Pirane, të cilët më pas i kishte shitur te persona të ndryshëm.
Me vendim të prokurorit të shtetit, ndaj tij është shqiptuar masa e ndalimit policor prej 48 orësh dhe është iniciuar kallëzim penal.
Në vazhdim të hetimeve, më 24.06.2026, hetuesit policorë kanë gjetur tre nga qengjat e raportuar si të vjedhur në oborrin e një shtëpie në fshatin Serbicë e Poshtme. Pas procedurave ligjore, kafshët e sekuestruara i janë kthyer pronarit.
