Të shtënat me armë në ahengjet në Kosovë janë dukuri e shpeshtë, të cilat përveç se janë të kundërligjshme, shumë herë janë edhe të rrezikshme. Ka disa raste kur nga të shtënat festive, kanë pësuar edhe me jetë qytetarët e pafajshëm, madje edhe ata që nuk ishin pjesë e ahengjeve.
Disa të shtëna janë dëgjuar edhe mbrëmë në fshatin Grabanicë të Klinës, ku një person dyshohet se kishte gjuajtur me armë zjarri në një aheng familjar.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se njësitë policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë takuar të dyshuarin, si dhe kanë gjetur rreth 50 gëzhoja.
I njëjti është arrestuar dhe shoqëruar në stacion policor, ku ka dhënë deklaratën e tij, me ç’rast e ka mohuar se ka gjuajtur dhjetëra herë.
Me urdhër të prokurorit, i dyshuari është ndaluar dhe ndaj tij është iniciuar rasti për veprat penale ‘Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm’ dhe ‘Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm’.
Kujtojmë se në vazhdimësi është bërë thirrje që të festohet pa armë, por siç duket këto thirrje kanë hasur në vesh të shurdhër.