Arrestohet në Kosovë Alil Demiri, i dënuar me burgim të përjetshëm në RMV për rastin “Monstra”

Arrestohet në Kosovë Alil Demiri, i dënuar me burgim të përjetshëm në RMV për rastin “Monstra”

Policia e Kosovës ka arrestuar Alil Demirin, shtetas i Maqedonisë së Veriut, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale “Terrorizëm” pas dënimit të tij me burgim të përjetshëm në mungesë.

Sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme të RMV-së, urdhërarresti ndaj tij është lëshuar për shkak të dyshimit për përfshirje në rastin e vrasjes së pesëfishtë në Liqenin e Smillkovcës.

“Sot, (24.08.2023) policia e Republikës së Kosovës, në bashkëpunim me policinë e Maqedonisë e kanë privuar nga liria Alil Demirin (38) në bazë të urdhërarrestit ndërkombëtar të lëshuar nga ana e MPB të RMV-së, i kërkuar në bazë të urdhëresës gjyqësore të Gjykatës Themelore Shkupi 1, për vepër penale të kryer ‘Terrorizëm’ sipas nenit 394 të Kodit Penal në lidhje me vrasjen e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovcë”, tha ministria e brendshme maqedonase, raporton Klankosova.tv.

Sipas informacioneve të marra nga policia e Kosovës, kjo Ministri tha se Demiri do të paraqitet para gjykatësit kompetent.

Demiri, 38 vjeç, u arrestua më 24 gusht në Kosovë, ku besohet se ka qëndruar qëkur u arratis pasi u dënua me burgim të përjetshëm në vitin 2012 nga një gjykatë e shkallës së parë, në rastin e njohur si “Monstra”.

Rasti u kthye në rigjykim dhe ai u dënua sërish me burgim të përjetshëm në mungesë në vitin 2021.

Demiri kërkohej me urdhër të Gjykatës Themelore të Shkupit për kryerjen e veprës penale “Terrorizëm” lidhur me rastin e njohur “Monstra” të vrasjes së pesë të rinjve maqedonas pranë liqenit të Smillkovcës, në afërsi të Shkupit, më 12 prill të vitit 2012.

Sipas REL-it, përveç Alil Demirit, në këtë rast me burgim të përjetshëm u dënuan dhe vëllezërit Agim dhe Afrim Ismailoviq. Për pjesëmarrje në këtë vrasje, Fejzi Aziri u dënua me 15 vjet burgim, ndërsa Haki Aziri me nëntë vjet burgim.

Dy nga të dënuarit me burgim të përjetshëm, Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviqi, besohet se ndodheshin prej shumë vjetësh në Kosovë, por autoritetet lokale refuzuan t’i ekstradojnë në Maqedoninë e Veriut.

Ismailoviqi ishte arrestuar nga policia e Kosovës më 2 prill 2021 bazuar në një fletarrestim ndërkombëtar, por Gjykata Themelore në Prishtinë vendosi ta refuzonte kërkesën e autoriteteve maqedonase për ekstradimin e tij.

Rasti “Monstra” ka shkaktuar protesta e përplasje të shumta në Maqedoninë e Veriut, për shkak të dyshimeve se bëhet fjalë për “proces të montuar nga shërbime të jashtme”.

Partitë politike shqiptare, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, kanë kërkuar përfshirjen ndërkombëtare në zbardhjen e rastit, por kërkesa e tyre është refuzuar nga organet gjyqësore.

Reagimet dhe protestat u përshkallëzuan pasi ish-kryeministri maqedonas, Zoran Zaev, gjatë publikimit të asaj që njihej si “afera e përgjimeve” në vitin 2013, kishte pretenduar se “në bazë të të dhënave, të dënuarit nuk ishin autorët e vërtetë” të vrasjes së pesë maqedonasve në Smillkovcë. 

Related Articles