Policia zvicerane ka ndaluar një person si pjesë e hetimeve për zjarrin që shpërtheu më 21 gusht në një ndërtesë banimi në Thusis, ku humbën jetën katër shtetas të huaj.
Një person, identiteti dhe të dhënat e të cilit nuk janë bërë ende publike, është arrestuar të hënën në kuadër të hetimeve penale lidhur me zjarrin tragjik që përfshiu një ndërtesë banimi në Thusis, në kantonin Graubünden, transmeton albinfo.ch.
Zjarri kishte shpërthyer më 21 gusht dhe si pasojë humbën jetën katër shtetas të huaj. Pas ngjarjes, autoritetet zvicerane nisën një hetim për të përcaktuar rrethanat dhe shkaqet që çuan në tragjedi.
“Hetimi penal aktualisht është i drejtuar ndaj një personi”, bëri të ditur policia lokale.
Sipas autoriteteve, ndaj të dyshuarit po shqyrtohen disa akuza për vrasje nga pakujdesia, si dhe disa raste të shkaktimit të lëndimeve trupore nga pakujdesia.
Policia nuk ka dhënë deri tani detaje të tjera për personin e ndaluar, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të zjarrit janë duke vazhduar.
