Emri i tij real është Dairo Antonio Usuga, por gjerësisht e njohin si Otoniel, ose baronin e drogës në Kolumbi, apo si kreu i kartelit më të madh kriminal në shtetin prodhues të kokainës dhe tashmë, autoritetet e kanë kapur pas një operacioni policor të koordinuar nga toka dhe ajri.
Qeveria kolumbiane kishte ofruar 800 mijë dollarë për informacione mbi të. SHBA-të i patën vendosur një çmim prej 5 milionë dollarësh kokës së tij.
Aq bujë bëri kapja e Otoniel-it, sa që vetë presidenti i vendit, Ivan Duque, e shpalli suksesin në transmetim televiziv live.
“Kjo është goditja më e madhe kundër trafikimit të drogës në vendin tonë gjatë këtij shekullit”, e përshkroi Duque ngjarjen. “Vetëm kapitullimi i Pablo Escobar në 1990-ën mund të krahasohet me këtë ngjarje”.
Zona rurale e Antioquia, ishte provinca veri-perëndimore ku Otoniel fshihej. Qyteza ndodhej ngjitur në kufirin me Panamanë.
Gjithsesi ngjarja nuk shkoi pa dëme. Një polic mbeti i vrarë gjatë operacionit. Ndërsa kolegët e tij, me krenari, nxorën në media fotot e Otonielit të kapur e të rrethuar nga efektivët.
50-vjeçari ka qenë shënjestër e shumë operacioneve, por asnjë i suksesshëm deri para këtij.