Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar zëvendësdrejtorin e Gjimnazit “Hamdi Berisha” në Malishevë, pasi që i njëjti dyshohet se ka sulmuar seksualisht një vajzë të mitur.
Zëdhënësi i Policisë së Kosovës për Rajonin e Gjakovës, Nysret Gjurkaj, ka thënë për Gazetën ‘Enigma’ se rastin në Polici e ka raportuar babai i saj.
“Në stacionin policor Malishevë më datë 20.12.2021 rreth orës 21:30 është paraqitur ankuesi dhe ka raportuar një rast të sulmit seksual që kishte ndodhur ndaj vajzës së tij të mitur. Sipas ankuesit rasti kishte ndodhur më datë 16.12.2021 në ambientet e Gjimnazit ‘Hamdi Berisha’ në Malishevë, ku vajza e tij vijon mësimet si nxënëse e kësaj shkolle”, tha ai.
Gjurkaj ka thënë se rasti ka ndodhur në njërën prej tualeteve të shkollës.
“Ngacmimi seksual dyshohet të jetë bërë nga ana e personit i cili në këtë shkollë mban pozitën e zëvendësdrejtorit. Ngjarja sipas ankuesit kishte ndodhur në njërën prej tualeteve të kësaj shkolle, kur viktima ishte brenda në tualet dhe aty kishte hyrë edhe i dyshuari dhe e kishte ngacmuar seksualisht viktimën”, potencoi ai.
Gjurkaj shtoi tutje se lidhur me këtë rast është intervistuar viktima dhe i dyshuari si dhe disa dëshmitar.
“Hetimet janë në fazën e grumbullimit të provave të tjera dhe për zhvillime të mëtejme ju njoftojmë me raport shtesë”.
Me vendim të prokurorit i dyshuari ndalet në mbajtje për 48 orë./Gazeta Enigma/