Kanë arritur 100 afganët e parë në Kosovë të cilët kanë ikur nga shteti i tyre, pasi talibanët morën kontrollin.
Tani ata janë duke zbritur në terminalin e vjetër të Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës ku pritet pastaj të strehohen në vendin e përcaktuar nga Qeveria e Kosovës.
Forca të shtuara të policisë së Kosovës janë parë në Airoport, për të siguruar ardhjen e tyre në vend.
Kosova i është bashkuar Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe partnerëve të saj, në deklaratën ku sigurohet se të gjithë qytetarët e huaj dhe afganët që kanë punuar me entitetet e huaja, do të mund të largohen nga Afganistani.
Departamenti amerikan i Shtetit ka publikuar një deklaratë të përbashkët ku bëjnë pjesë disa shtete, përshirë Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi, ku thuhet se talibanët kanë dhënë garanci se të gjithë ata që duan të largohen nga vendi, do të mund ta bëjnë këtë gjë lirshëm.
SHBA-ja po vazhdon evakuimet nga aeroporti i Kabulit dhe ka thënë se evakuimet do të ndodhin deri më 31 gusht, kur është edhe afati i fundit për t’u larguar trupat e huaja nga Afganistani.
Më herët, talibanët u kishin bërë thirrje shtetasve afganë, që kanë punuar me trupat e huaja, që të mos largohen, duke iu garantuar sigurinë e tyre.
Por, mijëra afganë ia kanë mësyrë aeroportit të Kabulit nga frika e hakmarrjes së talibanëve, të cilët morën kontrollin e kryeqytetit afgan, Kabul, më 15 gusht.
Ndryshe, Kosova po pret që të strehojë përkohësisht rreth 2.000 afganë.