Eksperti i sigurisë, Agim Musliu, ka reaguar pas publikimit të informatave të reja që lidhin Aleksandar Arsenijeviqin – figurë e njohur si “opozitar” i Listës Serbe – me kriminelin e sanksionuar nga SHBA-të, Millan Radoiçiq.
Sipas Musliut, Arsenijeviqi është shpërblyer me një banesë në qytetin Vrnjaçka Banja në Serbi, të cilën ia ka dhuruar vetë Radoiçiqi në shenjë mirënjohjeje për përpjekjet e tij në destabilizimin e situatës në veri të Kosovës.
“Ky nuk është aktivist civil, por pjesë e një strukture të organizuar që punon kundër rendit kushtetues të Kosovës,” ka thënë Musliu. Ai theksoi se për vite me radhë, Arsenijeviqi është paraqitur si pjesë e shoqërisë civile, por në prapaskenë ka ndihmuar në zbatimin e agjendave të Beogradit në veri të vendit.
Sipas informatave të sigurisë, gjatë bastisjes së vilës së Arsenijeviqit në fshatin Vallaq në qershor, policia gjeti një arsenal të tërë armësh. Kjo vilë, e ndërtuar nga kompania “RAD 028” – e përfshirë në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara – menaxhohet në letra nga Radulle Steviq, por mendohet të jetë në pronësi të vetë Radoiçiqit.
“Vila ka shërbyer për vëzhgim të Policisë së Kosovës dhe të KFOR-it nga strukturat kriminale si ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Severna Brigada’. Ky është një model klasik i infiltrimit dhe maskimit të qëllimeve të këqija nën petkun e aktivizmit civil,” ka paralajmëruar Musliu.
Ai ka bërë thirrje që institucionet e sigurisë në Kosovë dhe partnerët ndërkombëtarë të jenë më vigjilentë ndaj këtyre strukturave që, sipas tij, vazhdojnë të marrin mbështetje financiare dhe logjistike nga rrjete kriminale e politike jashtë Kosovës.
“Këto përpjekje janë pjesë e një strategjie më të gjerë të Serbisë për të destabilizuar Kosovën dhe për të ndikuar në perceptimin ndërkombëtar përmes propagandës dhe individëve të infiltruar,” ka përfunduar Musliu.