Dje në Rudarë të Zveçanit u zhvillua një protestë nga serbët lokalë, e cila përfundoi e qetë.
Pas përfundimit të protestës, policia tha se morën pjesë rreth 1,500 persona.
Ndërkohë, shefi i zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, pretendoi se në protestë morën pjesë rreth 10,000 pjesëmarrës.
Hibrid.info ka bërë një analizë për numrin e pjesëmarrësve, duke ardhur në përfundim se në protestë ishin rreth 5,600 persona.
Për matjen e numrit të pjesëmarrësve në tubime të ndryshme, u përdor metoda për kalkulime të tubimeve të MapCheking.
Sipas raportimeve të mediave në gjuhën serbe, flamuri që mbahej nga protestuesit ishte 300 metra i gjatë. Kjo i ka shërbyer Hibrid.info për të përcaktuar edhe gjatësinë e pjesës rrugës së magjistrales Mitrovicë – Jarinjë, e cila ishte mbushur me protestues.
Përkufizimi i hapësirës së protestës së djeshme është bërë duke u bazuar në fotografinë më gjithëpërfshirëse të protestës të shpërndarë nga Petkoviq.
Në bazë të fotografive të shpërndara nga Petkoviq në hapësirën e protestës së organizuar dendësia e pjesëmarrësve varion (në disa paraqitet ma e rrallë e në disa më e dendur).
Për të ilustruar mostrën për dendësinë e pjesëmarrësve në tubime në hapësirë të përcaktuar shihni shembullin e vizualizuar nga Prof. Dr. G. Keith Stil.
Për të matur sa më saktë numrin e pjesëmarrësve është përcaktuar që mesatarisht 2.5 persona për metër katror, duke u bazuar në imazhin e fotografisë së shpërndarë nga Petkoviq, që e jep një vëllim/dendësi të prezencës së personave pjesëmarrës.
Në bazë të platformës digjitale MapCheking dhe kalkulimet e bëra duke u bazuar në fotografitë e shpërndara nga Petkoviq, japin një të dhënë tjetër krahasuar në dy pretendimet. Nga faktet e trajtuara, bazuar në imazhet e paraqitura në fotografitë e protestës, dhe përcaktimit të hapsirës (2252 metër katror), kjo platformë, nga kalkulimi përmes metodologjisë së saj e jep një numër mesatar (të përafërt) me rreth 5,600 protestues.