ASK: Deficit tregtar më i lartë për 7,4% në vitin 2024, krahasuar me vitin 2023

ASK: Deficit tregtar më i lartë për 7,4% në vitin 2024, krahasuar me vitin 2023

Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikon të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për vitin 2024.

Në njoftimin e tyre thuhet se tregtia e mallrave në vitin 2024 kishte deficiti tregtar në vlerë prej 5,4 miliard Euro që është një deficit tregtar më i larët për 7,4%, krahasuar me vitin 2023, ku edhe në këtë vit ka bilanc negativ. Totali i eksporteve në këtë vit ishte 941,5 milion Euro, ndërsa importi 6,4 miliard Euro. Eksporti mbulon importin për vetëm 14,8%.

Duke krahasuar të dhënat e eksporteve për mallrat Kosovare gjatë vitit 2024 me atë të vitit 2023 shifrat tregojnë se ka një rritje vjetore për 9,1%, rritje e cila ka edhe më tutje bilancin negativ tregtar të Kosovës. Ndërsa të dhënat e tregtisë së mallrave për importin e Kosovës në vitin 2024 kanë shënuar një rritje vjetore rreth 7,7%, duke krahasuar me vitin paraprak 2023.

Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 23,7% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 12,8% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 11,3% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 11,0% e përbëjnë artikuj të ndryshëm të prodhuar; 8,8% e përbëjnë produktet minerale; 6,0% e përbëjnë tekstili dhe artikuj tekstili; etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 14,0% e përbëjnë produktet minerale; 12,3% e përbëjnë makineria dhe pajisjet mekanike dhe elektrike; 12,2% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 11,6% e përbëjnë mjetet e transportit; 9,9% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 7,5% e përbëjnë produktet e industrisë kimike; etj.

Eksportet dhe importet e Kosovës në vendet e BE-së

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 312,6 milion Euro, ose rreth 33,2% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 12,2%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (10,7%), Italia (4,0%), Holanda (2,7%), etj.

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 2,9 miliard Euro, ose 44,7% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 12,1%. Importet me pjesëmarrje me të lartë ishin nga: Gjermania (14,2%), Italia (5,2%), Greqia (5,0%), etj.

Eksportet dhe importet e Kosovës me vendet e CEFTA-s

Eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 426,0 milion Euro, ose 45,2% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 24,0%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s ishin: Shqipëria (18,1%), Maqedonia e Veriut (15,3%), Serbia (5,7%), Mali i Zi (4,7%).

Importet nga vendet e CEFTA-s arritën në 851,9 milionë Euro, ose 13,4% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-8,1%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Shqipëria (5,3%), Maqedonia e Veriut (4,7%), Serbia (2,0%).

Eksportet dhe importet e Kosovës me vendet e tjera të botës

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 202,9 milionë Euro, ose 21,6%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport ishin: Zvicra (9,2%) dhe SHBA (4,2%).

Importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 2,7 miliardë Euro, ose 41,9%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (14,4%) dhe Kina (11,9%).

Related Articles