Asnjë aplikim në KQZ për regjistrim të partive për zgjedhjet lokale

Asnjë aplikim në KQZ për regjistrim të partive për zgjedhjet lokale

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ende nuk ka pranuar asnjë aplikim nga ana e subjekteve politike për të marrë pjesë në zgjedhjet lokale që do të mbahen me 17 tetor të këtij viti.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, thotë se ende nuk kanë pranuar ndonjë aplikim, por që potencon se partitë politike kanë afat për një gjë të tillë deri me 16 gusht.

Partitë politike, iniciativat qytetare dhe kandidatët e pavarur, përveç aplikimit për të marrë pjesë në zgjedhje duhet të dorëzojnë edhe listën me emrat e kandidatëve për Kuvendet Komunale.

Elezi: Nuk kemi pranuar akoma ndonjë aplikim nga ana e subjekteve politike

“Deri në këto momente që po flasim nuk kemi pranuar akoma ndonjë aplikim nga ana e subjekteve politike të cilat duan të marrin pjesë në zgjedhjet lokale. Natyrisht se koha kur subjektet politike ku bëjnë pjesë partitë politike, koalicionet, nismat qytetare si dhe kandidatët e pavarur ka filluar ky afat për aplikim dhe kjo kohë përmbyllet me datë 16 gusht. Pra, deri në këtë kohë subjektet politike përveç që duhet te paraqesin aplikimin e tyre për pjesëmarrje në këto zgjedhje duhet të dorëzojnë edhe listën me emrat e kandidatëve qoftë për kryetar të komunave apo për Kuvende Komunale”, tha ai.

Pas aplikimit të partive politike, Elezi thotë se si KQZ do të bashkëpunojnë me institucionet PZAP, Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Ministrinë e Punëve të Brendshme, Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Ministrinë e Mbrojtjes, Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë dhe me Doganën e Kosovës, për të bërë verifikimin e kandidatëve nëse të njëjtit janë në përputhje me nenin 29 të Ligjit për Zgjedhje.

Sa i përket regjistrimit për votuesit jashtë Kosovës, Elezi thotë se periudha e regjistrimit do të filloi me 10 korrik dhe do të përfundojë me 18 gusht.

Elezi: 40 ditë kohë për t’u regjistruar qytetarët që jetojnë jashtë Kosovës

“KQZ ka vendosur 40 ditë kohë në dispozicion të qytetarëve me të drejtë vote të cilët jetojnë jashtë Kosovës për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës, gjatë kësaj periudhe pra nga data 10 korrik deri më datë 18 gusht për t’u regjistruar si votues jashtë Kosovës mund të aplikojnë shtetasit e Kosovës që jetojnë jashtë Republikës së Kosovës, si dhe për t’u regjistruar mund të aplikojnë edhe ata apo ato që nuk kanë shtetësinë e Republikës së Kosovës, por që kanë të drejtë në shtetësi sipas ligjit për shtetësi. Të gjithë pastaj aplikuesit të cilët i plotësojnë kriteret ligjore që arrijnë të regjistrohen si votues jashtë Kosovës do të mund të votojnë përmes postës gjatë periudhës së votimit, për të cilin KQZ ka vendosur 31 ditë në dispozicion të kësaj periudhe, pra nga data 15 shtator deri me datë 15 tetor”, tha ai.

Zgjedhjet lokale do të mbahen me 17 tetor të këtij viti.

Related Articles