AstraZeneca ka pranuar për herë të parë në dokumentet gjyqësore se vaksina e saj Covid mund të shkaktojë një efekt anësor të rrallë, në një kthesë të dukshme që mund të hapë rrugën për një pagesë ligjore prej shumë milionash.
Gjigandi farmaceutik është paditur në një padi grupore për pretendimet se vaksina e tij, e zhvilluar me Universitetin e Oksfordit, shkaktoi vdekje dhe lëndime të rënda në dhjetëra raste.
Sipas britanikes, Telegraph, avokatët argumentojnë se vaksina prodhoi një efekt anësor i cili ka pasur një efekt shkatërrues në një numër të vogël familjesh.
Rasti i parë u paraqit vitin e kaluar nga Jamie Scott, baba i dy fëmijëve, i cili mbeti me një dëmtim të përhershëm të trurit pasi zhvilloi një mpiksje gjaku dhe një gjakderdhje në tru që e ka penguar atë të punonte pasi mori vaksinën në prill 2021.
Spitali e thirri gruan e tij tre herë për t’i thënë se burri i saj do të vdiste.
AstraZeneca po kundërshton pretendimet, por ka pranuar, në një dokument ligjor të dorëzuar në Gjykatën e Lartë në shkurt, se vaksina e saj Covid “mund, në raste shumë të rralla, të shkaktojë TTS”.
TTS – që nënkupton trombozën me sindromën e trombocitopenisë – shkakton mpiksjen e gjakut dhe një numër të ulët të trombociteve në gjak.
Pesëdhjetë e një çështje janë depozituar në Gjykatën e Lartë, me viktima dhe të afërm të pikëlluar që kërkojnë dëmshpërblim që vlerësohet të jetë deri në 100 milionë funte.
Pranimi i AstraZeneca – i bërë në një mbrojtje ligjore ndaj pretendimit të Gjykatës së Lartë të z. Scott – pason përplasjet e forta ligjore.
Mund të çojë në pagesa nëse firma e barnave pranon se vaksina ishte shkaku i sëmundjes së rëndë dhe vdekjes në raste specifike ligjore.
Qeveria Britanike është zotuar të sigurojë faturat ligjore të AstraZeneca.
Kujtojmë se edhe Kosova gjatë 2021-ës, kishte pranuar vaksina nga kompania AstraZeneca, 182.900 doza sosh sipas Ministrisë së Shëndetësisë atëkohë, të paktën ishin dërguar nga Norvegjia.
Lidhur me këtë situatë, Klan Kosova është duke provuar të marrë një qëndrim nga Ministria e Shëndetësisë, për pasojat potenciale nga AstraZeneca, dhe sapo të kemi një përgjigjie do t’ju mbajë të informuar.