Administrata Tatimore e Kosovës përmes një njoftimi në Facebook, kanë bërë të ditur se të ardhurat që realizohen nga kriptovalutat, si të ardhura të ligjshme apo të paligjshme, për qëllime tatimore janë të ardhura të tatueshme.
Sipas ATK-së, detyrimet tatimore për të ardhurat nga kriptovalutat, varen nga ajo se çfarë statusi ka personi i cili ka realizuar të ardhurat.
Nëse statusi i personit që ka realizuar të ardhurat e tilla është person fizik, jo afarist apo person fizik afarist, duhet të zbatojë dispozitat ligjore të përcaktuara me Ligjin për Tatimin në të Ardhura Personale dhe për të ardhurat e realizuara.
Ndërsa, statusi i personit që ka realizuar të ardhurat e tilla është person juridik, duhet të zbatojë dispozitat ligjore të përcaktuara me Ligjin për Tatimin në të Ardhurat e Korporatave dhe për të ardhurat e realizuara.
ATK-ja thotë se nëse personi krijon humbje, atëherë për humbjet e tilla mbanë evidenca të veçanta, të cilat duhet të jenë në dispozicion të ATK-së sa herë që kërkohen.
Çka janë kriptovalutat ?
Kriptovaluta është para digjitale, e decentralizuar, e bazuar në teknologjinë “blockchain”. Ndryshe nga euroja apo dollari amerikan, nuk ekziston një autoritet qendror që menaxhon dhe ruan vlerën e një kriptovalute.
Përderisa kriptovaluta është një lloj i ri dhe interesant i pasurisë, blerja e saj mund të jetë e rrezikshme, pasi duhet kërkon hulumtime të konsiderueshme për ta kuptuar mënyrën se si funksionon secili sistem.
Bitcoin ishte kriptovaluta e parë, e propozuar nga Satoshi Nakamoto, në një dokument të vitit 2008, të titulluar “Bitcoin: Sistem elektronik, pa ndërmjetësues, i parasë së gatshme”.
Përveç Bitcoin ekzistojnë mbi 5 mijë kriptovaluta të ndryshme në qarkullim, sipas uebsajtit për monitorimin e tregut të kriptovalutave, CoinLore.